Intervistoi: Klara Dervishi
Bashkimi i shqiptarëve të Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës duket se mbetet ende një ëndërr e largët por jo e pamundur të paktën për shqiptarët në Luginën e Preshevës të cilët kërkojnë të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Hapat ederitanishëm dhe nxitimi i ndërkombëtarëve për të gjetur një marrëveshje të pranushme nga palët duket se ka rindezur shpresat e shqiptarëve në këtë zonë se ata do të bëhen një ditë pjesë e Kosovës. Takimet me emisarin amerikan Escobar pikërisht në SHBA dhe më pas vizitat e tij të shpejta në Prishtinë e më pas në Beograd duket se janë një dritë shprese se lufta ia ka arritur qëllimit edhe pse Beogradi është I mbizotëruar nga efekti i konspiracionit. Abc24.al ka biseduar këtë herë me kryetarin e Partisë demokratike shqiptare në Luginën e Preshevës z.Ragmi Mustafa.
Zoti Mustafa, si e patë vizitën e të dërguarit të SHBA këtë javë në Prishtinë?
-Vizita e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zotit Gabriel Escobar shihet si angazhim serioz i SHBA-ve në Republikën e Kosovës për të mbështetur institucionet dhe popullin e Kosovës në proceset integruese euro-atlantike. Në këtë kontest mbështetja nuk mungon edhe në zhvillimet rreth dialogut Prishtinë-Beograd i cili së paku gjer tani është treguar shterpë për faktin se Serbia nuk tregon as gatishmërinë më të vogël të arritjes së ndonjë marrëveshje e kënaqëshme për të dyja palët në proces.
A e shihni në fakt Kosovën si palë konstruktive në dialog me Serbinë? A duket sikur në këtë dialog gëzon më shumë përkrahje të pamerituar Serbia?
-Natyrisht se në procesin e dialogut pala Kosovare është plotësisht konstruktive sepse ajo nuk mund të dalë ndryshe nga fakti se është viktima gjersa Serbia ishte agresori, gjenociduesi e shkatërruesi i Kosovës përmes arsenalit të saj ushtarak dhe resurseve paramilitare gjenociduese së paku gjer në qershorin e vitit 1999. Nga ana tjetër, jo që po ledhatohet lidershipi serb në procesin e dialogut por për hir të korrektësisë dhe fuqisë politike, ushtarake e ekonomike të SHBA-së ato nuk lëshohen në kërëcnime dhe ultimatume por kanë mjaftueshëm durim e kohë të presin vetëdijen e Serbisë se Kosova është e pavarur. SHBA-të, njëlloj kishin vepruar fillimisht edhe vitin 1999 gjersa me Serbinë udhëhiqte diktatori dhe kasapi i Ballkanit perëndimor Millosheviq.
Ju keni zhvilluar një takim në SHBA në fillim të tetorit. A e shihni të sinqertë mbështetjen e perëndimit në zgjidhjen me anë të dialogut të çështjes së Kosovës?
-Në fakt ishin disa takime nga data 13 tetor gjer 20 tetor të vitit 2022. Takimi i parë ishte me zotin Gabriel Escobar, pastaj politikologun e njohur Amerikan profesorin universitar Danijel Server, kongresistë, senatorë, ish kongresistin Joseph Dio Guardi me zonjën e tij Sherly në cilësinë e Lobit Shqiptaro-Amerikan pastaj ambasadorin e Republikës së Kosovës në Washington, kryesinë e shoqatës VATRA në New York dhe patriotë të tjerë të kombit shqiptar në SHBA. Nga të gjitha këto takime si emërues i përbashkët del se: “…përvec shiptarëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit janë partner strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Zoti Mustafa sa të diskriminuar ndihen shqiptarët në Luginën e Preshevës ? Pse nuk ndikon Perëndimi këtu? Psh. ju gëzoni shumë më pak të drejta sesa serbët në Kosovë.
-Në fakt perëndimi dhe SHBA-të, maksimalisht janë duke u munduar që në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd të ushtrojnë ndikimin e tyre në maksimum në interes të të gjitha komuniteteve pakicë në dy anët e kufijve Kosovë-Serbi. Por, sa arrin efekti i ndikimit perëndimor te autoritetet serbe është e kuptueshme, sepse serbët janë të prirur e ndikuar nga kisha ortodokse serbe sikur ata janë të lindur për të ushtruar ndikime te të tjerët e jo ata të ndikohen nga të tjerët. Kjo është e mbrapsht, por këtë nuk mund ta pranojnë ndryshe serbët. Këtë mendësi e kanë të kultivuar brez pas brezi ndër shekuj. Prandaj, proceset me ta nuk mund të jenë të shpejta, frytëdhënëse e aq më parë konstruktive. Nga këto botëkuptime serbe ndër shekuj po e vuajnë shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit robërinë. Pavarësisht, dimensionit kohë, shqiptarët në Luginë të Preshevës do të presin zgjidhjen fatlume të tyre e cila nuk mund të jetë më pak se bashkëngjitja me Republikën e Kosovës.
Dhe me të drejtë thuhet që edhe shqiptarët e Luginës duhet të jenë pjesë e dialogut Kosovës-Serbi.. por deri tani a ka qënë temë me rëndësi çështja e shqiptarëve në pjesën Lindore të Kosovës?
-Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jenë temë e pandashme e dialogut Kosovë-Serbi njëlloj si janë temë serbët e veriut të Republikës së Kosovës. Nuk mund të zbatohen standarde të dyfishta për të drejtat e pakicave kombëtare në një regjion aq të ngushtë të Ballkanit Perëndimor. Për gjithçka që angazhohet shteti serb në drejtim të të drejtave të serbëve në veri të Kosovës po aq duhet të ofrojë për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Prishtina zyrtare çfarë qëndrimesh ka mbajtur kohët e fundit përballë jush?
-Nuk ka dilemë se Prishtina zyrtare mban anën tonë, por shpeshherë ndodhë që të jetë e gulfatur nga europianët kur flasin për ne! Autoritetet e Kosovës do të mbajnë qëndrimin e zbatimit reciprok e proporcional të të drejtave të pakicave në dy anët e kufijve Kosovë-Serbi. Këtij qëndrimi serbia gjithnjë përpiqet që ti ikë sepse e mund efekti i konspiracionit!
Shqiptarët e Kosovës Lindore bën një luftë me shpresë për t’u bashkuar me Kosovën në vitin 2000-2001, por sa afër apo sa larg duket sot ky bashkim?
-Bashkimi i shqiptarëve të Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës është sa afër po aq larg. Se cili nga efektet do të arrihet, varet nga politikbërja e delegacionit të Kosovës në bisedime e posacërisht ndërmjetësuesve europianë dhe lehtësuesit Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, një gjë është e sigurtë, se çfarëdo epilogu përfundimtar do të jetë e në rastin më të keq kur shqiptarët e Kosovës Lindore mbeten brenda kufijve që janë tani jashtë Kosovës kurrë nuk do të ndalen në përpjekjet e tyre për ribashkim me republikën e Kosovës. Ky është amanet i të parëve tanë historikisht, dëshmorëve të kombit që nga luftërat ballkanike gjer te ajo e luftës çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc!
A mund të ketë një zgjidhje me Serbinë pa zgjidhur më parë çështjen shqiptare në Kosovën Lindore ?
-Sigurisht se po. Por ajo zgjidhje do jetë e përkohshme për NE shqiptarët në Luginë të Preshevës!
A është çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës në axhendën amerikane?
-Nuk ka dyshim fare se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ndodhen në agjendën Amerikane. Kjo konfirmohet se së paku 12 vitet e fundit jo më pak se pesë herë jemi pranuar në institucionet më të larta të shtetit Amerikan si State Departament, Kongres dhe Senat.
Është edhe fat por që nuk ka ardhur si dhuratë, fakti që në parlamentin serb tani kemi një shqiptar. E ka ndihmuar kjo çështjen e shqiptarëve , psh e kam parë zotin Kamberi të ngrejë zërin për të drejtat e shqiptarëve.
-Që nga sistemi plural shumëpartiak vitet 1990 e këtej ka pasur deputet shqiptar në parlamentin e serbisë herë një, herë dy e herë tre. Ngritja e zërit të një deputeti në mesin e 249 deputetëve të tjerë serb në parlament është sikurse britma e një viktime në pyllin e pafund! Megjithatë, ka efektin e zërit të arsyes por jo edhe të ndryshimit të gjendjes së shqiptarëve në aspektin pozitiv. Kjo nga fakti se serbia vazhdimisht tregohet e shurdhër në raport me kërkesat e shqiptarëve të pambrojtur në Luginë të Preshevës. Prandaj, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc jetësisht kërkojnë bashkim me Kosovë!
Ka pasur një ide në kohën e kryeministrit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh. A është hedhur sërish kjo si ide apo është ajo ende në arkivat e ndërkombëtarëve?
-Idea për korrigjim kufijsh në kohën e presidentit Thaqi ka qenë e mbështetshme nga ndërkombëtarët e sidomos SHBA-të. Kjo ide nuk do të thotë se ka vdekur, ajo ende është gjallë. Në këtë drejtim, Republika e Kosovës duke qenë e pavarur dhe e pranuar ndërkombëtarisht duhet të inicoj pa humbur kohë demerkacionin e kufirit me Serbinë sepse me shtetet tjera fqinje i ka të kryera. Prandaj, në këtë kontekst kur kalohet në Luginë të Preshevës duhen rishikuar kufijtë e vendosur padrejtësisht në kohën e Rankoviqit dhe Josip Broz Titos!
Psh është harruar referendumi i vitit 1992, me kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për të pasur një autonomi territoriale politike, me të drejtë bashkimi me Republikën e Kosovës, dhe në qoftë se ndërkombëtarët e mbështesin një gjë të tillë, dhe që bëhet fjalë vetëm për Luginën e Preshevës që të përfshihet në Republikën e Kosovës, pa shkëmbim territoresh. A është ky një qëllim që mund të realizohet?
-Patjetër se PO!
A ka në fakt një lloj anashkalimi nga ana e qeverisë Kurti për Luginën e Preshevës? Cili është vlerësimi i juaj për qasjen e Qeverisë Kurti ndaj Luginës së Preshevës?
-Nuk ka anashkalim të qeverisë Kurti në raport me Luginën e Preshevës. Vlerësoj se mund të bëhet edhe më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës!
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*