Intervista/Lulzim Veliu: Opozita në Kosovë po e dëmton qëllimin e kryeministrit Kurti i cili ka pak përvojë në negociime me Beogradin

0
Gjigandi

Nga Klara Dervishi

Një vit i tensionuar dhe shumë pak hapa para në drejtim të gjetjes së një zgjidhje midis Kosovës dhe Beogradit dhe një lider serb që vazhdon të luajë edhe me ndihmën e disa qarqeve të caktuara në BE që mesaduket më shumë kanë nevojë për të sesa për Kosovën.

Një vit që u mbyll me “paqe” duke larguar të paktën për momentin erën e luftës dhe që tregoi se sa e brishtë është paqa dhe se Vuçiç do vijojë të luajë me kartat e një konflikti të cilin mesaduket ai nuk e ka llogaritur si duhet. Të provokosh luftë me Kosovën do të thotë të përballesh me NATO dhe askush nuk e beson se Vuçiç e merr parasysh këtë.

Të gjithë besojnë se ai thjesht kërkon të marrë gjithcka e të mos gjejë zgjidhje, një zgjidhje që ndoshta do vuloste fundin e tij në politik.

 Por a ishte tërheqja e barrikadave në Veri të Kosovës një zgjidhje përfundimtare apo thjesht Vuçiç e gjeti atë si “kalin e Trojës” të cilin mund ta aktivizojë sa herë që ti duhet?

RonaTyra

Si u pa reagimi ndërkombëtar edhe këtë herë? A ishte BE dhe SHBA e vendosur për t´i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe a kërkon ta bëjë këtë edhe plani Gjermano-Francez dhe pse nuk e përmend ai njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë?

 Çfarë do sjellë ndryshe 2023 në drejtimin 6 mujor të BE-së nga Suedia që vetë kërkon “qetësi” duke u anëtarësuar në NATO dhe a do këtë hapa para për Kosovën në drejtim të liberalizimit të vizave apo për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në drejtim të vijimit të negociatave?

Për këto abc24.al ka biseduar me analistin Lulzim Veliu.

Berlin, 7 janar 2023

  1. Një Europë që e nis kryesimin e presidencës me Suedinë në këtë vit të ri 2023. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

Ishte viti 2007 kur pjesë e BE u bënë Bullgaria dhe Rumania ndoshta hap i ngutshëm. Kaluan 6 vite për tu pranuar Kroacia edhe pse në të gjitha pikëpamjet ishte më e gatshme se dy të parat. Ndërsa nga viti 2013 sikur BE mbylli dyert  tani dhjetë vite pas dhe vetëm invazioni Ruse mbi Ukrainën bëri që BE të kthej kokën nga BP dhe të krijohet përshtypja se nuk bëhet nga dëshira për anëtarsimin e BP në BE por nga rreziku permanent për përhapjen e luftës dhe kjo nuk ndryshon as me presidencën e Suedisë.

  1. Në një dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Evropën. E bën lufta që Rusia vijon të zhvillojë edhe më real këtë objektiv?

Prioritet i BE patjetër që është siguria në Europë dhe posaçërisht në BE, pra viti 2022 ishte shembulli më i mirë se edhe në mes të Europës mund të vijë lufta ashtu si është duke ndodhur tash e 10 muaj në Ukrainë. Duke pasur për bazë edhe të kaluarën historike kur Ballkani gjithmonë është llogaritur si vatër baruti pastaj edhe influenca Ruse në Serbi e bën edhe më të rrezikshëm ndaj mendoj se për BE edhe nën presidencën Suedeze BP do të ketë prioritet.

  1. Po çfarë mund të pritet për Kosovën gjatë këtij viti? Një krizë që ishte ajo e barrikadave në veri që u zgjidh ose më saktë kështu u krijua ideja vetëm me largimin e barrikadave.

Gjatë vitit 2022 kishim një angazhim të paparë të komunitetit ndërkombëtar për dialogun Kosovë-Serbi mirëpo deri më tani pa sukses  pa ndonjë përafrim, pastaj doli edhe plani Franko-Gjerman për normalizimin e marëdhënieve në mes dy vendeve dhe çdo herë kur diçka nuk iu shkon përshtati politikave të Serbisë duhet të gjendet shkas për destabilizim dhe barrikadat janë arma e vetme e Serbisë  që ka përdorur gjithmonë e vazhdon edhe sot e kësaj dite.Kemi paralajmërime se përfaqësuesit e Francës dhe Gjermanisë për dialogun së bashku me përfaqësuesin e SHBA zotin Eskobar do ta vizitojnë Kosovën qysh në javën e parë të vitit e pastaj edhe Serbinë për realizimin e marrëveshjes për normalizimin e marëdhënieve në mes dy vendeve.

  1. Por fakt është që Vuçiç tregoi se mund ti ngrejë barrikadat e mudn ti heqë kur të dojë ai pra nuk ka qënë vendim individual apo i një grupi njerëzish ngritja e barrikadave. Dhe BE nuk foli me gjuhën e saj dhe as të diplomacisë për zgjidhjen?

Për një kohë është proklamuar se barrikadat në Veriun e Kosovës janë shprehje e pakënaqësisë së popullatës Serbe që jeton në ato vise, mirëpo tanimë të gjithë po e shohin se barrikadat ngrihen e largohen gjithmonë nga bandat kriminale që veprojnë nën urdhërat  e financimin e presidentit Serb Vuçiq i cili i shfrytëzon për konsum të brenshëm ndërsa qytetarët serb të Veriut të Kosovës janë viktimë e tyre. Ndërsa sa i përket qëndrimit të diplomacisë Europiane është ajo si gjithmonë që mendon se duke i bërë  favore Serbisë do ta largoj nga orientimi prorus por kësaj radhe patëm edhe ndryshim të qëndrimit nga SHBA dhe e tëra kjo nuk ishte pa fajin tonë. Në një fare mënyre i dha mundësinë Kosovës për 23 ditë ta ushtroj sovranitetin e shumë proklamuar.

  1. A pritej një zgjidhje e shpejtë e heqjes së barrikadave apo u ndie realisht era e një konflikti të armatosur në fudn të dhjetorit?

Këtu nuk bëhet fjalë për një konflikt të armatosur, kush do ta bëjë? Nuk ka interes askush për një konflikt të armatosur pastaj për një gjë duhet të jemi të qartë se edhe sikur Serbia do të dëshironte një gjë të tillë ata duhet të përballen e luftojnë me KFOR-in pasi KFOR-i është i ngarkuar për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

  1. Kujt i intereson tjetër ky konflikt përveç Vuçiç?

Unë mendoj se më pak se të gjithë të tjerët interes për konflikt ka Vuçiqi, i cili po e shfrytëzon në maksimum presionin e konfliktit për të realizuar qëllimet e tij. Ai është më shumë i interesuar për zhvillimin ekonomik të Serbisë dhe jo rastësisht investimet më të mëdha të Gjermanisë në BP janë pikërisht në Serbi. Interes për përhapjen e konfliktit në BP ka vetëm Putini me qëllim largimin e vëmendjes nga lufta në Ukrainë.

  1. Ka njerëz që e shohin problemin që nuk merr zgjidhje te dy liderët  ose të kokëfortësia e Vuçiç dhe Kurtit. Por ka edhe nga ata që mendojnë që vendosmëria e Kurtit e ka risjell fort për zgjidhje këtë problem.

Është normale që presidenti serb Vuçiqi por edhe kryeministri Kurti bëjnë përpjekjet maksimale për të dalë fitues nga procesi negociues, në këtë rast mendoj se Vuçiqi qëndron më mirë pasi ka një përvojë më të gjatë  të negocimit por ka edhe mbështetjen e brendëshme ndërsa Kryeministri Kurti përveç që ka një përvojë me të shkurtër dialogimi i mungon edhe mbështetja e subjekteve opozitare që në shumë raste të japin përshtypjen se janë në krahun tjetër dhe kjo bënë që të kemi edhe gabime. Taktizime me këmbëngulje deri në maksimum mund edhe të ketë por tërheqja duhet të bëhet me koheë në të kundërtën shkakton edhe dëme deri në degradimin e qeverisë por edhe të vendit.

  1. Një Kosovë që BE kërkon ta “ushqejë” me lugën bosh  qoftë kjo edhe në planin e liberalizimit të vizave me BE apo edhe për një zgjidhje përfundimtare për njohje nga ana e Beogradit. A nuk shihet si e ngurtë BE në drejtim të Kosovës por jo me Serbinë?

Pa dyshim shihet ngurtësia e BE kundrejt Kosovës. Jo vetëm sot por për një periudhë të gjatë, Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim qysh në vitin 2017 dhe ende nuk gëzon të drejteën e lëvizjes së lirë. Mendoj këtu nje rol negativ kanë pasur vendet qe ende nuk e kanë njohur realitetin e ri pra pese vendet qe nuk kanë njohur Republiken e Kosoves. Shpresoj se gjatë këtij viti do te arrihet marreveshja për normalizimin e marëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të ndryshoj shumë pra do të sjellë edhe njohjen nga pesëshja europiane, ndërsa si çdo herë Serbia është e përkëdhelura e Europës.

  1. Dhe ndikimi rus vijon të ketë rolin e tij në këtë krizë dhe në gjithë ballkanin perëndimor edhe pse thuhet që ende nuk e ka shtrirë plotësisht këtë ndikim . A është edhe kjo një sfidë që BE duhet të zgjidhë?

Vetë fakti që Serbia qëndron në pozicionin mes BE-së dhe Rusisë dhe është i vetmi vend europian që nuk ka vendosur sanksione kundrejt Rusisë e bënë që roli i Rusisë përkundër problemeve që ka është i dukshëm edhe në Ballkan. Këtu BE duhet të jetë më e vendosur dhe t‘ja bëjë me dije Serbisë se duhet ta ndajë mendjen me BE apo me Rusinë.

  1. Çfarë mund të sjellë 2023 për Shqipërinë në aspektin politik por edhe të integrimit ose ëndrës së integrimit?

Integrimi i Shqipërisë në BE mendoj se shumë shpejt do të bëhet realitet. Aktualisht Shqipëria qëndron më së miri nga të gjitha vendet e BP, duke plotësuar kushtet që kërkohen nga BE gjatë negociatave për anëtarësim. Viti 2023 është vit zgjedhor për Shqipërinë dhe këtu duhet të jemi te kujdessheëm e të bëjmë zgjedhje të mira.

  1. A e bën të vështirë ndihmën për Ukrainën fakti që Suedia ende nuk është anëtare e NATO-s?

Suedia është anëtare e BE dhe për 6-mujorin e parë të vitit 2023 do të udhëheqë presidencën e BE dhe çdo vendim që merret është vendim i BE pra nuk kemi të bëjmë me kurfarë problemesh e vështirësish. Këtu dëshiroj të shfrytëzoj rastin dhe ta bëj një krahasim në mes vendeve demokratike dhe atyre që thirren në emër të demokracisë e vetëm demokratike nuk janë. Vendosmëria e Suedisë për mosekstradimin e disa të kërkuarve nga pushteti Turk në këmbim të vetos turke tregon se si mbrohen parimet e demokracisë në këndvështrimin me palën tjetër.

Faleminderit zoti Veliu

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu