Shqiptarët nuk po vaksinohen. E tatëpjeta e rënies së interesit sa vjen e po theksohet. Në 2 javët e fundit janë injektuar më pak se 20 mijë doza, në të cilat përfshihen edhe ato të kryera nga ata që jetojnë jashtë vendit.
Po pse po fiton refuzimi?
“Po pati rritje shifrash në rastet e reja, edhe mund ta bëjmë. Rastet e ulëta na kanë bërë neglizhentë”, thonë qytetarët.
Por, pretendimet e qytetarëve nuk bindin aspak mjekët infeksionistë. Ata përsërisin arsyet se pse duhet kryer vaksina.
“Të mbron nga varianti BA.2. E gjithë popullta mbi 16 vjeç duhet ta bëjnë vaksinën”, thotë Artan Simaku.
Argumentet se pse duhen marrë dozat bëhen edhe më të shumtë kur bëhet fjalë për personat e pavaksinuar: “Nuk përjashtohet mundësia e daljes së varianteve të reja”.
Ndonëse ambicia e qeverisë ishte imunizimi i gjithë popullatës mbi 18 vjeç brenda pranverës, shifrat e deritanishme shfaqen zhgënjyese. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, deri më 10 maj janë vaksinuar me doza të para më pak se 1,3 milionë qytetarë, me të dyta pak më shumë se 1,2 milionë dhe me të treta gati 300 000.
Thënë ndryshe, deri më tani ka marrë dozë të parë më pak se 47% e popullatës, doza të dyta pak më shumë se 44% dhe të treta 10.6%. /A2 CNN/