Inflacioni pritet të kthehet në objektivin e Bankës së Shqipërisë në vitin 2024

0
Inflacioni pritet të kthehet në objektivin e Bankës së Shqipërisë në vitin 2024
Gjigandi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot se inflacioni pritet të kthehet në objektivin e bankës prej 3 për qind në gjysmën e partë të vitit 2024.

Gjatë prezantimit të punës së bankës qendrore për vitin e kaluar para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Sejko ka bërë të ditur se çmimet e larta që kanë arritur shifra rekord në muajt e fundit do të mbeten në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022.

Ai ka shtuar se inflacioni pritet “të vijë në rënie gjatë vitit 2023, në linjë me reduktimin e pritur të presioneve në tregjet botërore, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024”.

Sipas guvernatorit, realiteti i ri ekonomik i shkaktuar nga sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një “rritje galopante të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe duke rritur kostot e prodhimit të bizneseve”.

“Për më tepër, konflikti i armatosur ka shtuar pasiguritë dhe ka krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit, të cilët po ndikohen edhe nga kufizimet e vendosura rishtas ndaj valëve të reja të pandemisë në Azi”, ka theksuar Sejko.

RonaTyra

“Kjo goditje me ndikim të dyfishtë – në rritje për çmimet dhe në rënie për aktivitetin ekonomik – do të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare. Ajo pritet të sjellë norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike në Shqipëri krahasuar me vlerësimet tona përpara fillimit të luftës”, ka shtuar guvernatori.

Megjithatë, Sejko ka thënë se trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit pritet të mbetet i pacenuar në afatin e mesëm dhe të gjatë.

“Bazuar në informacionin aktual, ne presim që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim. Ky gjykim mbështetet në gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, në ekuilibrat e konsoliduar ekonomikë dhe financiarë, si dhe në vijimin e një miksi stimulues politikash monetare e fiskale”, ka sqaruar Sejko.

Kujtojmë se inflacioni arriti në 6.2 për qind në muajin prill, në krahasim me 1.9 për qind që ishte në të njëjtin muaj vitin e kaluar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja e çmimeve në muajin prill është rritja më e fortë e çmimeve e regjistruar në vend që nga viti 2001, kur inflacioni ishte 7.6 për qind.

/abc24.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu