Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka hedhur poshtë njoftimet se Bashkimi Evropian po përgatit një “zonë ekonomike evropiane” për vendet e Ballkanit pasi në samitin evropian, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nuk arritën të marrin datën e bisedimeve për anëtarësim për shkak të kundërshtimit të Francës. Zaev ka thënë se përveç anëtarësimit të plotë në BE, nuk do të pranojë asnjë alternativë tjetër. “Vendi ynë është në BE dhe nuk do të pranojmë asnjë ofertë tjetër. E gjithë bota flet për ne për atë që kemi bërë. Ne kemi përmbushur detyrimet tona dhe e kemi merituar hapjen e bisedimeve. Ne duam atë që meritojnë dhe asgjë tjetër. Nuk pranojmë asnjë alternativë tjerë, pakte, partneriteti, projekte ekonomike. Ne jemi për anëtarësim të plotë në BE”, ka deklaruar Zaev në një tribunë të shtunën në mbrëmje me simpatizantë të LSDM-së në qytetin e Prilepit. Ai ka shprehur dëshpërimin nga vendimi negativ në samitin evropian, por tha se ky vendim nuk do ta gjunjëzojë nga qëllimi final, e që është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE. “Vërtetë nuk është fer ndaj nesh pasi na premtuan, na thanë bëni punën dhe ne do t’ju japim datën. Diskutuan deri në orën 2:30 të mëngjesit dhe për fat të keq ndodhi padrejtësia. Por, unë dua t’ju bind se kjo padrejtësi ndaj vendit tonë të vogël do ngritët si feniksi pasi të gjithë po flasin për padrejtësinë e bërë”, ka theksuar Zaev. Ndërkohë, në një tjetër tribunë me anëtar të partisë, kreu i opozitës, Hristijan Mickovski, për mosmarrjen e datës ka akuzuar qeverinë. “Ne të gjithë duhet të jemi të brengosur pasi datën nuk e morëm për shkak të korrupsionit, pashallëkut e kriminalitetit të atij (Zaevit) që dëshironte privatizimin e të ardhmes evropian të shtetit tonë. Për këtë ne nuk morëm datën, gjithçka tjetër është një ‘PO’ e madhe pasi ne jemi qytetar të Evropës, ne i takojmë Evropës dhe atje është e ardhmja jonë, të cilën do ta arrijmë me fitoren në zgjedhjet e 12 prillit”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Dy partitë LSDM dhe VMRO kanë nisur fushatën menjëherë pas arritjes së marrëveshjes mes partitë politike, që më 12 prill të vitit 2020 të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe në të gjitha tubimet dominojnë temat e integrimit evropian dhe shkaqet e mosmarrjes së datës së bisedimeve për anëtarësim. /REL/
Ballina Aktualitet Integrimi/ Zaev: Nuk pranojme projekte ekonomike, duam anetaresimin ne BE – Lajmi...