Inflacioni i lartë, Banka e Shqipërisë rrit pas 11 vitesh normën bazë të interesit

0
Inflacioni i lartë, Banka e Shqipërisë rrit pas 11 vitesh normën bazë të interesit
Gjigandi

Në Shqipëri, Banka Qendrore vendosi të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin e 1 përqindëshit, në përgjigje të një inflacioni gjithnjë e në rritje. “Sipas të dhënave të Instat-it, inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi nivelet 3.7 përqind dhe 3.9 përqind, respektivisht në muajt janar dhe shkurt.

Ndonëse të dhënat e plota zyrtare mungojnë, informacioni i disponuar tregon një rritje të mëtejshme të çmimeve në muajin mars”, deklaroi sot pasdite guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, i cili mori në analizë ndikimin që do të ketë në ekonominë shqiptare sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.

“Goditja aktuale e ofertës dhe fortësia e kërkesës agregate, rrezikojnë të cënojnë objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm”, theksoi guvernatori Sejko. Hera e fundit që Banka e Shqipërisë kishte ndërhyrë duke rritur normën e interesit i takon 11 viteve më parë. Sipas zotit Sejko, kjo lëvizje “synon të krijojë kushte e nevojshme monetare për respektimin e objektivit tonë të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri”.

Banka e Shqipërisë vlerësoi se “ecuria e inflacionit në Shqipëri është ndikuar nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, të naftës, dhe të kostove të prodhimit e të transportit. Në terma makroekonomikë, trendi rritës i inflacionit pasqyron rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të kërkesës, rritjen e pagave dhe të punësimit, si dhe rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy tremujorëve të fundit. Këto të fundit kanë qenë të larta gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar dhe janë vënë nën presion të shtuar nga tensioni gjeopolitik që shoqëron konfliktin në Ukrainë”. Sipas Bankës Qendrore “ecuria e mëtejshme e çmimeve do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend”.

Banka shpjegoi më tej se “të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror. Për rrjedhojë, projeksionet globale të inflacionit për dy vitet në vijim janë riparë për lart, ndërsa projeksionet e rritjes ekonomike janë riparë për poshtë”.

RonaTyra

Edhe në Shqipëri, sipas Bankës Qendrore “ekonomia do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme. Megjithatë – vëren më tej Banka e Shqipërisë – vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm. Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale”.

Banka Qendrore parashikon që sipas skenarit bazë, “inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij”./VoA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu