Importet nga Kolumbia kanë shënuar një rritje të fortë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa janë 60- fishuar në raport me 2015-n, kur pothuajse ishin joekzistente, sipas të dhënave nga INSTAT, të përpunuara nga Monitor.
Shifrat e INSTAT tregtojnë se në vitin 2022, importet nga Kolumbia ishin 3.9 miliardë lekë (33 milionë euro), me një rritje prej gati 8% në raport me vitin e kaluar, duke arritur në nivelin më të lartë historik të regjistruar ndonjëherë. Ndërsa në 2021-n, importet nga Kolumbia ishin rritur me 434% me bazë vjetore.
Deri në vitin 2016, tregtarët nuk duket se ishin të interesuar për tregun kolumbian. Në 2015-s, importet nga ky shtet ishin vetëm rreth 500 mijë euro.
Pas 2016-s, importet u rritën me ritme mjaft të shpejta, fillimisht me frutat dhe arrat e ngrënshme (bananet) dhe më pas me lëkurën e lëndët minerale (kryesisht qymerin e paletet). Pas 2018-n (kur në Portin e Durrësi u kap ngarkesa më e madhe me kokainë deri tani, që ishte fshehur në një kamion me banane), u shënua sërish rënie, sidomos në 2020-n, kur vendi ishte në pandemi. Ndërsa periudha 2021-2022 shënoi nivelet më të larta historike të importeve. (shiko grafikun: Importet totale nga Kolumbia).
Artan Hoxha, gazetar investigativ, tha për “Monitor” se rritja e numrit të rasteve të kapura me kokainë, që vijnë nga Kolumbia, është në proporcion të drejtë me shtimin e importeve po nga ky vend, ndonëse shumë ngarkesa nuk kapen.
“Gjatë dy viteve të fundit rastet e trafikut të kokainës me origjinë nga Kolumbia, sipas statistikave, që janë në Shqipëri, por dhe në vendet e Bashkimit Europian,- ku janë kapur sasi narkotiku, që ishin të përfshirë edhe trafikantët shqiptarë -, janë trefishuar”, pohon ai. “Në rastet që janë identifikuar kanë qenë kryesisht në ngarkesa me qymyr, siç anija e fundit që u kap”, shton Hoxha.
Statistikat e INSTAT tregojnë se kapitulli që zë peshën më të madhe të importeve nga Kolumbia është ai i “Lëndëve djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, me 87% të totalit. Tregtia me këtë produkt nisi në vitin 2017, ndërsa më parë, importet ishin zero. Në këtë kapitull përfshihet qymyri, koksi, hidrokarburet etj. (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia sipas kapitujve, 2005-2022).
Frutat janë grupi i dytë me importet më të larta, me 10% të totalit. Pasi ranë në 2019-2020, importet e frutave, ku peshën kryesore e zë banania, u rritën sërish ndjeshëm në 2021-2022, duke arritur në vitin 2022 në 370 milionë lekë, niveli më i lartë historik.
Hoxha thotë se zakonisht organizatat kriminale mundohen që trafikun ta bëjnë në aktivitetet, që kanë volum më të madh tregtar, pasi mundësia për ta kamufluar aty është më e madhe.
Por, si shton se ka pasur dhe raste të tjera ku ka qenë e kamufluar në importe të tjera që vijnë nga Kolumbia, si plehu organik. Të dhënat e INSTAT në fakt tregojnë se në 2022-n, për herë të parë janë importuar produkte nga kapitulli “Plehëruesit”, me vlerë 2 milionë lekë (shiko grafikun: Importet nga Kolumbia sipas kapitujve, 2022).
Një tjetër produkt, që sipas Hoxhës përdoret nga trafikantët për të kaluar kokainën, është një lëndë e parë tretësirë për ëmbëlsirë, pelte, e cila përzihet me kokainën dhe nuk e kap as skaneri. “Këto ngarkesa nuk janë kapur asnjëherë nga policia, ndonëse kryhen prej vitesh dhe pasi vjen produkti në Shqipëri nga peltja ekstraktohet kokaina”, thotë Hoxha. Shifrat e INSTAT tregojnë se importi i kapitullit “Sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij” ka qenë i pranishëm thuajse çdo vit, duke arritur nivelin më të lartë në 2021-n, me rreth 9 milionë lekë.
Një kapitull tjetër që arriti nivelin më të lartë të importeve në 2022 është ai i “parfumeve, kozmetikës e tualetit”, një treg që është “zbuluar” nga tregtarët tre vitet e fundit.
Në përgjithësi, produktet që po importohen nga Kolumbia vitet e fundit janë ideale për “kamuflimin” e tregtimit të narkotikëve, si lëkurët, që nisën importin nga 2015-a, qymyret e paletat (nga 2017), erëzat, apo dhe banane, që nisi rritjen e fortë nga 2016-a./Monitor