Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh sot se kanë përfunduar punimet për rrugën e re që lidhë bypass-in e Fierit me Parkun Arkeologjik të Apolonisë në jug të vendit.
Në një njoftim në rrjetet sociale, ministria ka shtuar se tashmë rruga është e hapur për të gjithë përdoruesit dhe vecaniërisht për vizitorët e parkut të Apolonisë.
Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon.
Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.
Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
Themeluar rreth fillimit të shek. të IV para erës së re, gërmadhat e Apolonisë u zbuluan në fillim të shek. XIX.
Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbetje të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.
Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë si dhe pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër e bëjnë Parkun Arkeologjik të Apolonisë lehtësisht të arritshëm për vizitorin dhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri.
/abc24.al/