Pediatria e re e Elbasanit, një investim i qeverisë shqiptare, ka hapur dyert në shërbim të fëmijëve të qarkut të Elbasanit dhe zonave perreth.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë parë nga afër investimin e ri, i cili garanton shërbim me standarde dhe kushte bashkëkohore.
Gjatë inspektimit, Kryeministri Edi Rama u shpreh: “Ka qenë tmerr, tani pediatria ofron kushte optimale, super, super”.
“
Spitali Pediatrik i Elbasanit është një angazhim i përmbushur, që i siguron shërbime cilësore më shumë se 20 mijë fëmijëve që marrin shërbim çdo vit në këtë spital. Se si kanë qenë kushtet e spitalit Pediatrik atë e dinë fare mirë të gjithë mjekët, infermierët e këtij spitali. Por për të thënë të vërtetën tashmë korpusi i Spitalit të Elbasanit është një korpus i mirëinvestuar, për nga pikëpamja e infrastrukturës spitalore por edhe për nga pikëpamja e teknologjisë, imazherisë dhe laboratorit që tashmë janë përfshirë në gjiithë programin e zhvillimit spitalor. Është një spital që ka 60 linja oksigjeni, pra i përgjigjiet gjithë atyre emergjencave shëndetësore që mund të ndodhin në të ardhmen
“, tha Manastirliu.
Duke folur për investimet në sektorin e Shëndetësisë, Manastirliu tha se pavarësisht pandemisë COVID19, janë përmbyllur vepra të mëdha
“Me programin e nënës dhe fëmijës, vetëm këtë vit ne i’a kemi dalë që, edhe pse një periudhë sfiduese, të kemi të përfunduara tre vepra të mëdha, QSUT, fazën e parë të Spitalit Pediatrik, Maternitetin e Beratit dhe ky është spitali i tretë që përfundojmë brenda këtij viti. Ndërkohë vijojmë investimet. Spitali i Kukësi përfundon në qershor-korrik. Ndërkohë jemi gati të përfundojmë spitalin e Kurbinit. Dhe Tirana që është Spitali i Sëmundjeve të Brendshme brenda këtij viti do të finalizohet”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se mjekët e rinj specialistë do të vendosen sipas nevojave në spitalet rajonale për të ofruar shërbim afër vendbanimit.
“
Përfundojnë specializimin këtë vit 116 mjekë, të cilët do të shpërndahen sipas nevojave të vendit në spitalet rajonale. Ne do të fillojmë shtrirjen e specializimeve në spitalin e Durrësit, edhe në spitalin e Elbasanit, sikurse e kemi vendosur, por gjithashtu edhe në spitalin Memorial të Fierit, ku përgatitemi për të shtrirë specializimet. Sivjet hapim 100 kuota të reja në mjekësi edhe ky është një lajm i mirë. Sepse përgatitemi pikërisht për të përballuar kërkesat për të ardhmen për mjekë të përgjithshëm por edhe për mjekë specialistë. Ndërkohë që 50 kuota duam që t’ja japim për Universtitetin e Durrësit dhe sigurisht pastaj për të kombinuar specializimet në spitalet rajonale sepse tashmë jemi gati
“, tha Manastirliu.
Pas Pediatrisë së Durrësit, investimit madhor për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, rikonstruksioni i Pediatrisë së Fierit, Pediatria e re e Elbasanit është një tjetër investim i buxhetit të shtetit në sektorin e shëndetësisë me në fokus modernizimin e spitaleve pediatrike dhe transformimin e tyre në spitale miqësore për fëmijët. Rikonstruksioni i Pediatrisë së Elbasanit në vlerë 330 milionë lekë, ka përfshirë një sipërfaqe rreth 3000 m2 si spital, duke plotësuar nevojat e qarkut të Elbasanit. Spitali i ri ka 75 shtretër, 15 janë shtretërit në urgjencë, 60 shtretër në shërbime.
Përveç investimeve në infrastrukturë, 4.2 milionë euro është buxheti i vendosur në dispozicion që brenda këtij viti, të rinovohet flota e pajisjeve mjekësore me 4 skanera të rinj në spitalet universitare e rajonale, me angiograf të ri për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe 10 grafi të reja për poliklinikat dhe spitalet.