Ekipi i Valon Berishës, Fortuna Dusseldorf, i humbi tri pikët nga ndeshja kundër Borussia Dortmundit në mënyrë dramatike, pasi që Erling Haaland ia dhuroi fitoren skuadrës së tij me prekjen e fundit të topit për këtë ndeshje, që përfundoi me rezultat 1:0. Shkaku i këtij goli në sekondat e fundit, Bayerni do të duhet të presë për ndeshjen e xhiros tjetër për ta siguruar edhe matematikisht titullin.
Një ndeshje pothuajse e barabartë – me nga pesë raste për të shënuar gol për secilën skuadër, përkundër dominimit në posedim të topit nga ana e Dortmundit – përfundoi me rezultat 1:0 për mysafirët në shtëpinë e Dusseldorfit.
Dortmundit iu anulua një gol e shënuar në minutën e 66-të të ndeshjes, pas rishikimit nga VAR-i shkaku i një prekjeje me dorë, të shënuar nga Raphael Guerreiro, ndërsa Dusseldorfi e humbi një rast shumë të mirë në fund të ndeshjes.
Rasti i humbur iu kthye për të keq Dusseldorfit, pasi që ylli i ri Erling Haaland arriti ta shfrytëzojë një rast në fund të ndeshjes për ta shënuar golin e fitores.
Valon Berisha luajti nga minuta e parë në këtë ndeshje, por SofaScore e vlerësoi atë me notën më të dobët nga e gjithë skuadra, pasi që nuk e bëri asnjë pasim kyç për bashkëlojtarët e tij, përkundër 36 prekjeve të topit.
Fortuna Dusseldorfi po e vazhdon luftën për mbijetesë, ndërsa Borussia Dortmundi, përkundër fitores, tani e ka pothuajse të pamundur të shpallet kampion.
Dusseldorfi është në vendin e 16-të, që do të thotë se do të luajë për play-offs për rënie nga liga nëse nuk ngrihet në tabelë, ndërsa Dortmundi ka mbetur katër pikë larg Bayernit, që ende s’e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj xhiroje.