Eros Grezda ia hedh paq. Një gjest i dënueshëm pas gjysmëfinales së Kupës, pati mesfushorin shqiptar si protagonist negativ. Dje, në mbledhjen e Komisionit të Disiplinës në Federatën Kroate të Futbollit është vendosur që mesfushori i Osijekut të dënohet me katër ndeshje pezullim, takime në kampionat apo në Kupë. “Për këtë vendim është njoftuar lojtari, por edhe klubi i Osijek dhe Grezda ka nisur menjëherë shlyerjen e këtij dënimi”, është shkruar ndër të tjera në vendimin disiplinor.
Referuar neneve të akteve të dhunës, apo goditjeve ndaj personit, shqiptari mund të kishte pasur edhe ndëshkime 12 javë, gjashtë muaj pezullim ose edhe përjashtim nga futbolli nëse veprimi i tij do të kishte lënë pasoja për shëndetin e kundërshtarit. Menjëherë pas vendimit të Disiplinës në Kroaci, Grezda ka treguar ekskluzivisht për “Panorama Sport” se çfarë ka ndodhur. Duke e pranuar gabimin, që ai e quan një veprim prej nxitimit dhe akumulimit të nervave gjatë gjithë ndeshjes, Grezda uron që kjo gjë të përfundojë sa më shpejt si dhe tregon ndër të tjera se kjo ngjarje është fryrë shumë nga skuadra e Rijekës, pikërisht për të mbuluar atë që ai e cilëson edhe si vjedhje të finales së Kupës.
Eros, jeni dënuar me vetëm 4 ndeshje pezullim. I lehtësuar?
Pikë së pari më duhet të them se e gjithë kjo situatë ka qenë e zmadhuar nga mediat kroate. Unë them se ka ndodhur vërtet skandal.
I referoheni gjestit tuaj?
Shikoni, ne jemi dënuar shumë keq nga arbitrat në atë ndeshje. Dënim deri në pikën që na e vodhën finalen e Kupës. Jo vetëm kaq, por më pas tentuan që të gjithë fokusin e saj ta kalojnë tek incidenti im.
Grezda jeni shfaqur në video duke goditur kundërshtarin dhe po flisni vetëm për akuza…
Gjesti im ka qenë i dënueshëm. Por në të vërtetë ka qenë gjithçka e ndikuar nga provokimet dhe sharjet që më ka bërë kundërshtari, Antonio Çolak, gjatë dhe pas ndeshjes. Më ka provokuar shumë dhe më ka ofenduar.
Çfarë ju ka sharë? Si ju ka sharë?
Më ka sharë nga ana nacionale. E të gjitha këto.
Po çfarë ju ka thënë?
Ju them vetëm që të gjitha ofendimet e tij janë të dënueshme nga UEFA. Unë kam marrë katër ndeshje pezullim për atë që bëra, ama ai nuk është dënuar fare.
Po thoni që federata nuk ka vepruar në mënyrë të ndershme?
Jo, jo. E keqkuptuat. Sido që të jetë, unë besoj se vendimi i federatës ka qenë i drejtë për mua. Edhe pse unë kam qenë i ndikuar në atë moment, isha shumë i frustruar dhe kam bërë një gjë të keqe, them se duhet të ishte dënuar edhe ai, por sidoqoftë gjesti im ishte i pajustifikueshëm.
Grezda, lojtari i Rijekës publikoi një mesazh tuajin ku në fakt nuk përmendej asnjë sharje prej tij…
Ne kishim një marrëveshje që e gjitha kjo do të kalojë. Ne i kërkuam falje njëri-tjetrit, ai për sharjet ndaj meje dhe unë për gjestin dhe dhamë fjalën që e gjithë kjo do të mbaronte aty. Mirëpo, ato nuk e mbajtën fjalën, por publikuan mesazhin që unë i dërgova atij lojtari pas kësaj që ndodhi.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Menjëherë pas atij incidenti, ne kemi pasur një takim. Unë, ai lojtari, ka qenë delegati i ndeshjes, kanë qenë përfaqësues të policisë, ka qenë presidenti i Rijekës, drejtues të të dyja klubeve dhe trajnerë të të dyja klubeve. Në këtë takim kemi dhënë të gjithë fjalën që nuk do të bëhej e madhe kjo ngjarje, pasi unë kërkova falje dhe ne i dhamë dorën njëri-tjetrit.
Për çfarë dhatë fjalën?
Dhamë fjalën që nuk do të bëhej e madhe kjo çështje dhe do të ishte e mbyllur aty për aty. Në vijim do të ishin vetëm autoritetet që do të kryenin detyrën e tyre, pra federata me delegatin dhe komisionet. Mirëpo, ata e shkelën fjalën e dhënë. Pa kaluar as gjysmë ore nga ky takim, lojtari i Rijekës publikoi mesazhet e mia ndërsa klubi i Rijekës nxori pamjet e videos. Duke e ditur këtë fjalë, pra që nuk do të publikohej asgjë, atëherë unë i dërgova mesazhin. Pasi në të kundërt, nuk do ta bëja.
Ju thatë na është vjedhur finalja dhe në Kroaci arbitri i ndeshjes është pezulluar për të mos arbitruar më deri në fund të sezonit pikërisht për kartonin e kuq dhe penalltinë…
Po, është e vërtetë kjo gjë. Është konsideruar i padrejtë arbitrimi që na është bërë në atë ndeshje. Mirëpo, kjo nuk është çështje e imja. Unë di që kam bërë një veprim të ndëshkueshëm, pavarësisht rrethanave dhe kam marrë ndëshkimin. Për atë reagim instinktiv, kur unë shkova të flas dhe ai më ka reaguar shumë keq, kam bërë atë veprim. Dua të lë gjithçka pas krahëve dhe kaq.