Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor në Uashington.
“Lajm i mirë! Kam marrë premtimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe të kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në mënyrë që të takohemi në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për diskutime rreth dialogut”, shkroi ai në twitter. Ai paralajmëroi se “nëse ndonjëra palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, atëherë ato do të kthehen në ‘status quo’ pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. I pres me padurim këto diskutime”, shkroi ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, reagoi menjëherë, duke shkruar se “udhëheqja dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen përparimtare të Kosovës. E mirëpres ftesën për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump dhe të dërguarit të posaçëm të tij, Richard Grenell”, shkroi ai.
Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti shkroi se “veprimtaritë e bashkërenduara me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Richard Grenellin, kanë dhënë rezultatet e para, duke bërë që Serbia të ndalë fushatën e saj të tërheqjes së njohjeve. Vazhdimi i dialogut është një hap kryesor për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë”, shkroi ai. Presidenti Thaçi pritet që së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti të udhëtojë për në Uashington, ndërsa Serbinë pritet ta përfaqësojë presidenti i saj Aleksandër Vuçiç, i cili ishte shprehur i gatshëm “të pezullohet fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, nëse Prishtina heq dorë nga kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”.
Më herët të hënën, të dy udhëheqësit biseduan për bashkërendim veprimesh kundrejt bisedimeve me Serbinë dhe presidenti Thaçi tha më pas se Kosova dhe rajoni i Ballkanit po hyjnë në një javë të rëndësishme “kur pritet hapja e proceseve konkrete edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ambasadori Grenell, gjithashtu edhe me paralajmërimin e vizitës së zotit (Miroslav) Lajçak në Kosovë”.
Zoti Lajcak ka planifikuar që të martën të fillojë një vizitë disaditëshe në Kosovë, në një përpjekje për të siguruar rifillimin e bisedimeve të pezulluara gati dy vjet më parë. Heqja e tarifave ndaj mallrave serbe dhe më pas edhe të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, hoqi edhe pengesat për rifillimin e bisedimeve. “Zoti Lajçak nesër vjen në Prishtinë. Do të kemi takim me të për të prezantuar këtë qëndrim tonin, unë kam qenë në komunikim me të gjatë gjithë javës së kaluar dhe me të dhe me ambasadorë të tjerë të Quint-it dhe të BE-së dhe besoj që ngadalë po formësohet plotësisht dhe po unifikohet qëndrimi i të gjitha institucioneve të Kosovës”, tha kryeministri Hoti.
Presidenti Thaçi përsëriti se zoti Lajçak duhet të dijë që Kosova është vend i pavarur dhe çdo qasje tjetër sipas tij do të jetë dështim. “Unë nuk jam informuar për agjendën dhe përmbajtjen e vizitës së zotit Lajçak në Kosovë. Nuk është koha më që të hapen çështje teknike apo me pretendime për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Lajçak duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe nëse vjen me këtë objektiv dhe me këtë qasje që duhet të përmbyllet ky proces me njohje reciproke është shumë i mirëseardhur. Çdo qasje tjetër është, mund të them lirisht, qasje e dështimit të tij në Kosovë dhe vet Bashkimit Evropian. Por, para së gjithash, Lajçak duhet ta kuptojë se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për liberalizimin e vizave dhe jo për fjalime të thata, të kota dhe shterpe”, tha presidenti Thaçi.
Zoti Lajcak pritet të qëndrojë edhe në Beograd javën që vjen, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare serbe, që mbahen të dielën më 21 qershor. Lëvizja Vetëvendosje, e ish kryeministrit Albin Kurti, reagoi pas njoftimit për takimin e 27 qershorit duke theksuar se “asnjë marrëveshje që cenon tërësinë tokësore dhe integritetin funksional të Kosovës nuk do të mund të zbatohet”. “Pas sajimit të qeverisë së paligjshme, deklarata e parë e presidentit Thaçi ishte se duhet të largohen të gjitha pengesat karshi dialogut, dhe ashtu ndodhi: qeveria koti largoi masën e reciprocitetin ndaj Serbisë, duke e zhveshur tërësisht Republikën e Kosovës nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror. Ndërkaq sot emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, na njoftoi për vendimin e radhës së kësaj qeverie: që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash në reagimin e kësaj lëvizjeje.
Qeveria e kryeministrit Kurti u rrëzua më 25 mars me një mocion mosbesimi të Lidhjes Demokratike e cila më pas formoi një qeveri me partitë më të vogla. “Sot më shumë se kurrë kuptohet përpjekja e gjithë këtij Klubi të Stërvjetëruar Politik për ta larguar qeverisjen që filloi të sillet si shtet normal në arenën ndërkombëtare e të forcojë sovranitetin për së brendshmi. Qeveria Kurti i ka penguar pazaret me thika mbi harta që po i kanoseshin Republikës së Kosovës. Për tandemin Thaçi-Vuçiq ishte e nevojshme një qeverisje pa legjitimitet popullor, e diskredituar, marionetë, e cila ndjek aventurën e tyre të nisur tash e disa vite”, thuhet ne reagimin e kësaj lëvizjeje.
Përgjatë debateve rreth rrëzimit të qeverisë së zotit Kurti u ringjallën edhe diskutimet se cila mund të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zoti Kurti, hodhi dyshimet se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë një ujdi rreth shkëmbimit të territoreve dhe se një mundësi e tillë mund të jetë diskutuar edhe me zyrtarët amerikanë. Kjo është hedhur poshtë në disa raste nga ambasadori Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi. Ai ka theksuar se një gjë e tillë nuk është diskutuar kurrë në praninë e tij.
Putin e Vuçiç bisedojnë për Kosovën
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç, biseduan të hënën në telefon dhe sipas një njoftimi të zyrës së presidentit serb, presidenti rus ka thënë se Moska do ta mbështesë Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe asnjë vendim nuk do të mund të merret pa Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara’ Të dy ata pritet të diskutojnë për këto çështje javën e ardhshme meqë presidenti serb pritet të jetë i pranishëm në Parakalimin Fitores në Moskë, më 24 qershor, me të cilën do të shënohet 75-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Të enjten më 18 qershor në Beograd pritet të qëndrojë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Rusia, një aleate e vjetër e Serbisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008./VOA
Burimi: top-channel.tv