Renate Blauel, ish-gruaja e super-këngëtarit homoseksual britanik Elton John, tha në dokumentet e gjyqit të dëmshpërblimit, se ka ndryshuar identitetin e saj për të zhdukur çdo lidhje me të.
Blauel po kërkon dëmshpërblim disa-milionësh kundër John për shqetësim të rëndë psikologjik prej shkeljes së marrëveshjes së divorcit të vitit 1988 për të mos diskutuar detaje mbi martesën e tyre.
Muajin e kaluar e përditshmja britanike “Guardian” zbuloi se Blauel, e cila kishte evituar çdo lloj publiciteti në tre dekadat e fundit, ka depozituar padinë ndaj John pas publikimit të autobiografisë së tij dhe filmit të bazuar në të ‘Rocketman’.
Dokumentet gjyqësore tregojnë përpjekjet e bëra nga Blauel, e cila ka lindur në Gjermani, për t’u distancuar nga ish-marrdhënia e saj si dhe përpjekjet me shëndetin mendor.
Mes të tjerash në dokumentet e depozituara prej saj thuhet:
• Blauel ndryshoi emrin e saj në 2001 në një emër të panjohur për të zhdukur të gjitha lidhjet me John. Ajo po rikthen emrin e saj Blauel përsa kohë do të zgjasë gjyqi aktual, me qëllim të mbrojë indetitetin e saj të fshehtë.
• Blauel i tha të njohurve në 2001 se po vendosej në Gjermani për t’u kujdesur për prindërit, por miqve të ngushtë u rrëfeu se po qëndronte në Britani me një identitet të rremë.
• Për t’iu shmangur interesit të medias Blauel bleu një shtëpi të re në emër tjetër dhe hoqi çdo send që e lidhte me Elton John, kur erdhën punonjësit e ngarkimit.
• Blauel ndryshoi gjithashtu pamjen e jashtme për të evituar lidhjet me jetën e shkuar.
Blauel tha se prej masave të marra ajo “jetonte në qetësi dhe privatisht” me një partner të ri.
Por ajo shton se jeta e saj u trondit kur pa reklamën e filmit autobiografik të John ku përfshiheshin detaje të martesës së tyre.
Çifti u martuan në Australi në 1984 në një kohë kur John nuk ishte i qartë për seksualitetin e tij. Blauel thotë se ata u ndanë katër vjet më vonë dhe se marreveshja e divorcit përfshinte një klauzolë ku ndalohej për çdo palë “diskutimi i martesës apo arsyeve të ndarjes”, përveç bisedave konfidenciale me familjarët dhe konsulentët ligjorë.
Avokatët e Blauel thonë gjithashtu se tentativat e tyre për ndryshimin e detajeve në autobiografinë e John u refuzuan. Kunërshtimi i saj kryesor është ndaj pjesëve ku martesa e tyre në libër konsiderohet e gënjeshtërt apo “një sajesë”.
Burimi: top-channel.tv