Kërkesa e Elon Musk për të anuluar një marrëveshje me entin rregullator për letrat me vlerë dhe bursën, lidhur me një sërë postimesh në rrjetin Twitter në vitin 2018, ku ai pretendonte se kishte fonde të mjaftueshme për ta privatizuar firmën Tesla, u refuzua nga një gjykatës federal në New York.
Gjykatësi Lewis Liman po ashtu hodhi poshtë mocionin për të anuluar fletëthirrjet ndaj Muskit në të cilat kërkohen të dhëna lidhur me shkelje të mundshme të marrëveshjes së tij me agjencinë federale amerikane që zbaton ligjet kundër manipulimeve në treg.
Agjencia federale që njihet shkurtimisht si SEC, “Securities and Exchange Commission” po heton nëse kreu i firmës Telsa e shkeli marrëveshjen nëntorin e kaluar ndërsa kërkoi mendimin e ndjekësve të tij në rrjetin Twitter nëse duhet të shesë 10 për qind të aksioneve të tij Tesla, raporton zeriamerikes.
Situata e ka burimin tek një marrëveshje e tetorit të vitit 2018 me SEC, në të cilën Musk dhe firma Tesla ranë dakord të paguanin 20 milionë dollarë gjoba nga secila palë, për shkrimet e Musk në Twitter se kishte para të mjaftueshme për ta privatizuar firmën Tesla me çmimin 420 dollarë për aksion.
Por Musk nuk kishte fonde për ta bërë këtë gjë dhe firma e makinave elektrike vazhdon të jetë publike. Por çmimi i aksioneve të kompanisë Tesla u rrit.
Marrëveshja specifikonte ndryshime në drejtimin e firmës, duke përfshirë shkarkimin e Muskut si kryetar bordi, si dhe miratimin paraprak të postimeve të tij në rrjetin Twitter. Avokati i tij, Alex Spiro, u shpreh para gjykatës se SEC po i shkelte zotit Musk të drejtën për lirinë e shprehjes.