Përfundon sërish pas hekurave një ish-inspektor i IMT Sarandë. Policia ka bërë ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Lartë, për shtetasin M. N., 37 vjeç, banues në Sarandë.
Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e Vendimit datë 28.07.2021, të Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila kishte vendosur masën “Detyrim paraqitje”, dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, datë 14.07.2021″, e cila ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”
Ky shtetas dyshohet se, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka lejuar ndërtime pa leje, në zona të ndryshme, në Himarë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë për arrestimet në IMT në 22 maj 2021
Himarë
Shpërdoruan detyrën duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve, vihen në pranga 2 shtetas, 2 të tjerë shpallen në kërkim.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një pune intensive hetimore disajavore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, bëri ndalimin e shtetasve:
R. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë;
E. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
M. N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas Prokurorisë së Vlorë kryeinspektori me inspektorët në fjalë prej dy vitesh 2019-2020 kanë konsumuar në mënyrë të përsëritur shpërdorimin e detyrës duke lejuar që në bregdetin nga Dhërmiu der inë Borsh të ndërtohen objekte pa leje, kryesisht shtesa në kate e ndërtime tëreja.
Edhe pse objektet janë evidentuar nga Policia, IMT nuk mori asnjë masë madje as pezullimin e punimeve. Inspektorët edhe pse u vendosën në dijeni lejuan vijimin e punimeve dhe nuk ndërprenë ndërtimet informale të pronarëve.