Boksieri amerikan Deontay Wilder ka kryer një operacion në krah, duke e vënë në dilemë praninë e tij në ring në një duel të tretë ndaj Tyson Fury. Dy boksierët dueluan më 22 shkurt, me Furyn që fitoi me “KO teknik” në raundin e shtatë, duke marrë edhe titullin kampion bote që mbante amerikani (kategoria WBC).
Është përfolur se dy boksierët do të zhvillojnë edhe një sfidë të tretë mes tyre (sfida e parë, në dhjetor të 2018-s, u mbyll në barazim), por ky operacion ka ndërlikuar situatën për Wilder.
Nuk ka ende një datë të saktë se kur do të rikthehet 34-vjecari amerikan në ring, ndërkohë që plani është që dy boksierët të duelojnë sërish në tetor, kur të jetë qetësuar situata nga koronavirus.
Gjithsesi, Fury është duke marrë masat, për të gjetur një zëvendësues, me Dillian Whyte që shihet si favorit.