Flamurtari gati për rifillimin, dezinfekton ambjentet e stadiumit. Klubi i Flamurtarit ka dezinfektuar këtë të dielë ambjentet e stadiumit të tij për të qenë gati për rifillimin e stërvitjes që gjithçka të jetë brenda rregullave të parashikuara nga protokolli i sigurisë, pas miratimit që dha ministria e shëndetësisë për nisjen e stërvitjes kolektive në ambjente të hapura.
Gjatë kësaj të diele janë dezifenktuar të gjitha ambjentet e stadiumit “Flamurtari” të Vlorës duke nisur nga zyra e presidentit, ambjentet e zyrtarë të klubit, dhomat e zhveshjes, koridoret, por njëkohësisht dhe dushet e impiantit.
Dezinfektimi i stadiumit është një prej kushteve që duhet të ndërrmarrë çdo klub i Superiores përpara rifillimit të sezonit futbollistik në vend që është parashikuar të startojë më datë 3 qershor.
Dezinfektimi i stadiumit të Vlorës vjen menjëherë pas kryerjes së të njëjtës proçedurë dhe nga ekipi i Tiranës, rreth 24 orë më parë të njëjtin protokoll sigurie e zbatoi si në stadiumin Selman Stërmasi gjithashtu dhe në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”.