Sektori bankar në Shqipëri e ka mbyllur tremujorin e parë të këtij viti me fitim, por në rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimi neto i sektorit bankar zbriti në 3.28 miliardë lekë, me një rënie prej afërsisht 32 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e fitimit në vlerë absolute është reflektuar negativisht edhe në treguesit e rentabilitetit. Kthimi nga kapitali aksioner, mesatarizuar me bazë vjetore, zbriti në 7.36 për qind, nga 11.68 për qind që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, kthimi nga aktivet ra në 0.84 për qind, nga 1.85 për qind që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Statistikat tregojnë se zëri që ka dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e rezultatit financiar të sektorit për këtë vit ka qenë ai të ardhurave nga instrumentet financiare.
Sektori bankar ka raportuar një humbje prej 2.1 miliardë lekësh nga këto instrumente, ndërsa në tremujorin e vitit të kaluar ky zë kishte sjellë të ardhura në vlerën e 150 milionë lekëve.
Humbjet nga instrumentet financiare me shumë të ngjarë reflektojnë rritjen e ndjeshme të normave të interesit në tregje gjatë tremujorit të parë të vitit.
Kjo rritje ka ndikuar negativisht portofolin e instrumenteve financiare ekzistuese të sektorit bankar, duke sjellë zhvlerësimin e tyre. Në këtë mënyrë, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit duket se po japin efektet e para negative në performancën e sektorit bankar në Shqipëri.
Vitin e kaluar sistemi raportoi fitimet më të larta historike, të mbështetura nga rritja me ritme të larta e kreditimit dhe nga ulja e mëtejshme e raportit të kredive me probleme.
Përtej ndikimit negativ nga rritja e normave të interesit, ecuria e zërave të tjerë të performancës ka qenë e mirë edhe në tremujorin e parë të këtij viti, në vijim të një cikli pozitiv të lidhur me rritjen e huadhënies dhe përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë.
Të ardhurat neto nga interesat për tremujorin arritën në afërsisht 12.2 miliardë Lekë, me një rritje prej pothuajse 11% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Të ardhurat nga komisionet arritën në 3.2 miliardë lekë, edhe këto në rritje me afërsisht 10% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Për sa u takon shpenzimeve, u shënua një rritje e lehtë në shpenzimet e interesit dhe në shpenzimet e tjera operative.
Deri tani, inflacioni i lartë nuk ka sjellë ndikime të dukshme në aftësinë paguese të huamarrësve dhe në cilësinë e portofolit të kredisë së bankave. Në fund të muajit mars, raporti i kredive me probleme zbriti përsëri në 5.24% dhe po shënon nivelet më të ulëta qysh prej vitit 2008. /abc24.al/