Të sëmurët në qytetin e Vlorës ankohen se nuk ju bëhen analizat. Sipas tyre sistemi i referimi nuk funksionon, fill pas dhënies me konçesion të laboratorit.
Ky i fundit është pjesë e marrëveshjes konçesionare të Ministrisë së Shèndetësisë me Kompaninë Laboratory Netëork, i cili do operojë për 10 vite në 18 spitale të vendit. Ky konçension ka kushtuar 13 miliardë lekë.
Të sëmurët i janë drejtuar emisionit Fiks Fare për të gjetur zgjidhje. Nga ankesat e pacientëve mbërritur në redaksi thuhet se laboratorët e analizave nuk funksionojnë që pas menaxhimit të tyre nga konçesionari. Një i sëmurë u rrëfen gazetarëve të Fiksit se vuan nga një sëmundje e pashërueshme ndaj i duhet të bëjë analiza të shpeshta përpara se të bëjë kimioterapinë. Ai thotë se ka 3 muaj që mjekja e familjes nuk i planifikon asnjë analizë siç bënte më parë.
Me ndihmën e gazetarëve të Fiksit i sëmuri shkon pranë mjekut të familjes. Aty i thuhet se nuk bëhet dot planifikimi, pasi sistemi funksionon 2 orë dhe vetëm 1 herë në muaj. Mjekët i thonë pacientit se problemin duhet ta ngrejnë tek partia, pasi nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër. Madje mjekët thonë se të planifikuarve që kanë radhë u bie në muajin korrik. Gazetarët e Fiksit shkojnë tek Operatori Rajonal i Kujdesit Shëndetësor në Vlorë i cili u thotë të shkojnë në Drejtorinë e Vlorës.
Drejtori Myzafer Islami pranon se me hyrjen e konçensionarit të ri ka pasur problematika, por ato janë zgjidhur. Gazetarët e pyesin për të sëmurët kronikë të cilëve nuk ju bëhen analizat , por drejtori thotë që dhe kjo problematikë është zgjidhur. Në këto kushte gazetarët në prezencë të drejtorit telefonojnë mjeken e familjes e cila e mohon drejtorin dhe konfirmon të kundërtën.
Që pacientëve nuk ju kryhen analizat, problematikë të cilën e ka adresuar tek eprorët, por nuk ka marrë zgjidhje. Në momentin e telefonatës drejtori u kërkon gazetarëve të dalin jashtë nga zyra duke nxjerrë operatorin e Fiksit jashtë. Gazetarët marrin përgjigje me shkrim edhe nga Spitali Rajonal i Vlorës ku sipas tij çdo gjë është në rregull dhe të sëmurët kronikë planifikohen për analiza me urdhër të brendshëm nga një mjeke onkologe.
Urdhër që mjekët nuk e kanë. Të sëmurët në këtë mënyrë vijojnë të mbeten ende pa analiza./