Presidenti Ilir Meta i ka uruar Italisë Festën e Republikës.
Përmes një letre drejtuar homologut Sergio Mattarella, Kreu i Shtetit Shqiptar shpreh urimet e ngrohta miqësore për popullin mik italian
Teksa rithekson marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, Meta ndalet dhe te pandemia e COVID-19, që goditi rëndë Italinë, duke u shprehur se “Ndërsa pandemia e COVID-19-ës po godet mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku, me përpjekje të mirëmenduara e të koordinuara, me mençuri dhe forcë, ta kapërcejmë këtë situatë, të rikthehemi së shpejti në normalitetin e jetës së përditëshme dhe të kemi një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne”.
Letra e plotë e Metës drejtuar Presidentit Mattarella:
Më lejoni që me rastin e Festës së Republikës Italiane, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e miqësore, për Ju personalisht dhe për popullin mik Italian.
Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik, të cilat reflektohen në të gjitha fushat e dimensionet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh si dhe iniciativave apo organizatave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Konstatoj me kënaqësi se falë traditës dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve, këto marrëdhënie janë bërë më të forta e shumë më intesive.
Dy popujt tanë, miq prej shekujsh, ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Arbëreshët e Italisë, një urë lidhëse e vjetër dhe e qëndrueshme, si dhe mijëra shqiptarë që pas viteve ’90 gjetën mikpritje e mbështetje në Itali e kanë forcuar në mënyrë të vazhdueshme miqësinë midis dy vendeve. Gëzohem pa masë kur mësoj se numri i qytetarëve italianë që investojnë, bëjnë biznes, punojnë, studiojnë apo që vijnë për turizëm në Shqipëri rritet çdo ditë, duke i bërë më të forta e të pazgjidhshme marrëdhëniet midis dy kombeve tona.
Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Ju personalisht dhe të gjitha autoritetet dhe institucionet italiane po i japin Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ndjehemi me fat që në realizimin me sukses të kësaj aspirate kemi një mbështetës dhe avokat të jashtëzakonshëm si Italia.
I nderuar mik,
Ndërsa pandemia e COVID-19-ës po godet mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku, me përpjekje të mirëmenduara e të koordinuara, me mençuri dhe forcë, ta kapërcejmë këtë situatë, të rikthehemi së shpejti në normalitetin e jetës së përditëshme dhe të kemi një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne.
Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe dëshirën për të vijuar së bashku me Ju forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Shkruar nga: top-channel.tv