Ndalesa për shkak të coronavirus-it është e gjatë dhe për disa do të zgjasë deri në fillimin e sezonit të ardhshëm. Aq sa duhet për të harruar si luhet futboll? Jo, por në momentin e kthimit në fushë, edhe për seancat stërvitore, mund të ketë disa probleme.
Këtë e ka shpjeguar Cesc Fabregas, një nga ata që do të duhet të përballet me këtë situatë pas disa muajsh, duke parë se Ligue 1 e ka mbyllur sezonin dhe Monaco nuk luan në kompeticionet europiane. Spanjolli, gjithsesi, ka folur në emër të shumë kolegëve të tij që mund të kthehen në fushë shumë shpejt.
Problemi kryesor, ka shpjeguar ish-lojtari i Arsenal-it, Barcelona-s dhe Chelsea-t, lidhet me… këpucët. Futbollistët mund të jenë stërvitur në shtëpi, por shumë prej tyre nuk i veshin këpucët e futbollit për një kohë të gjatë. Dhe kjo mund të krijojë probleme.
“Jemi mësuar me këpucët tona dhe duhet të përshtatemi edhe kur sponsori teknik i skuadrës i ndryshon. Përshtatja është e shpejtë, por kur ke gjashtë javë pa i veshur, këmbët do të mbushen me kallo dhe plagë që do të ndikojnë vrapimin”, ka thënë Fabregas në një lidhje direkte në Instagram me programin Estudio Estadio.
“Fillon edhe të çalosh, sepse ti vazhdon të luash pavarësisht dhimbjes në këmbë, nuk i jep shumë rëndësi. Megjithatë, është shumë e bezdisshme”.