Disa rajone të Shqipërisë janë përfshirë ditën e sotme nga moti i keq, shoqëruar me stuhi ere dhe shpejtësi deri në 50 kilometra në orë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi sot se nga raportimi i deritanishëm, rajonet më të prekura nga defektet janë Fieri dhe Vlora, kryesisht në akse me linja ajrore.
Sipas OSHEE, shkak i këtyre ndërprerjeve është bërë moti i keq me erëra të forta, që ka përfshirë këto rajone gjatë natës së mbrëmshme, duke vazhduar edhe gjatë mëngjesit të ditës së sotme.
Defektet janë kryesisht të llojit: këputje përcjellësish, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh, shkarkuesish, bashkime përcjellësish etj.
“Nga brigadat e terrenit të OSHEE-së në të gjithë vendin po punohet me intensitet të lartë për riparimin e defekteve të mbetura. Vështirësi në riparimin e defekteve paraqiten në zonat rurale, ku linjat janë kryesisht ajrore, gjë që sjell dhe vonesa në riparimin e tyre, për shkak të terrenit të vështirë ku kalojnë këto linja”, shkruan OSHEE.
/abc24.al/