Bordi i Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri miratoi këtë të mërkurë rritjen e tarifës së transmetimit të energjisë nga 0.75 lekë [0.61 cent] në 0.85 lekë [0.70 cent] për çdo kilovat/orë.
Kjo rritje erdhi pas kërkesës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) për të rishikuar tarifën për shkak të rritjes së kostove të operimit të kompanisë në kushtet e krizës së energjisë dhe ku vetëm shpenzimet për mbulimin e humbjeve janë rritur me dy herë.
Përfaqësues të ERE argumentuan se tarifa prej 0.85 lekë do të jetë në fuqi nga 1 maji 2022 deri në 31 dhjetor 2024 si një mesatare e llogaritur sipas planit të shpenzimeve në tre vite, raporton Monitor.
Gjithsesi, ERE u shpreh se në bazë të ndryshimeve në treg vit pas viti mund të këtë rishikime nëse kushtet ndryshojnë në mënyrë thelbësore.
/abc24.al/