Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës si dhe janë proceduar penalisht 2 persona.
Uniformat blu bëjnë me dije se Zenel Malocaj (Kodra) shpërndante drogë dhe mbante armë pa leje. Gjithashtu policia njofton se ka nisur procedimi penal për shtetasit E. D., 24 vjeç, banues në Shkodër dhe F. M., 27 vjeçe, banuese në Tiranë.
Më tej gjatë operacionit janë sekuestruar armë zjarri, drogë (kokainë dhe kanabis), shuma parash, peshore elektronike dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Vespa”, për goditjen e veprimtarive kriminale të shpërndarjes së drogave dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen armë zjarri, drogë (kokainë dhe kanabis), shuma parash, peshore elektronike dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihet në pranga 27-vjeçari që posedonte sendet e kundërligjshme, procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Vespa”, të zhvilluar tre ditë më parë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 4 shtetas dhe u sekuestruan armë zjarri dhe drogë e llojeve të ndryshme, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas një pune të mirorganizuar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, finalizuan fazën e dytë të këtij operacioni.
Si rezultat i u arrestua në flagrancë shtetasi Z. M.(K.), 27 vjeç, banues në fshatin Golem, njësia adminstrative, Rethina, Shkodër, si dhe nisi procedimi penal për shtetasit E. D., 24 vjeç, banues në Shkodër dhe F. M., 27 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga veprimet hetimore proaktive, të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, dyshohet se shtetasi Z. M.(K.), në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, ushtronte aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, kokainë dhe kanabis, në qytetin e Shkodrës.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Z. M.(K.) dhe kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë, 800 gramë kanabis, një sasi kokaine të ndarë në doza, shuma parash (euro dhe lekë), 2 peshore elektronike, 2 automjete, 5 aparate celulare dhe pajisje të tjera që shërbenin për paketimin e lëndëve narkotike në doza.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.