Disa persona të paidentifikuar kanë hyrë natën e kaluar dhe kanë vjedhur shtëpinë e një biznesmeni në qytetin e Elbasanit, ndërsa zëdhënësja e policisë nuk e ka konfirmuar rastin. Vjedhja, sipas biznesmenit Shaqir Karafili, ka ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të hënës, në lagjen 5 Maj, pranë Konviktit të Studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Karafili është i mirënjohur për biznesin e tij të autoshkollës dhe automjeteve të linjave të transportit në qytetin e Elbasanit. Hajdutët janë futur natën në shtëpinë e tij private, ku kanë marrë rreth 2 milionë lekë, si edhe sende me vlerë e bizhuteri të familjes. Biznesmeni Karafili, pasi ka konstatuar vjedhjen, ka bërë denoncimin në polici, e cila po heton për zbardhjen e plotë të saj dhe për identifikimin e autorëve dhe arrestimin e tyre.