Një mjek i familjes dhe tre kirurgë po verifikohen nga prokuroria për dyshimet se ata kanë firmosur raporte shëndetësore fiktive, prej të cilave një ish zyrtar besohet se mund të ketë përfituar duke i zënë mat eprorët që mos të ndërmarrin asnjë masë ndaj tij.
Kallëzimi që vuri në lëvizje prokurorinë hedh dyshime ndaj Sefer Sefës, me detyrë ish drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Sipas burimeve të TCH, ai mund të ketë siguruar raporte shëndetësore false për të shmangur komunikimin e shkarkimit nga detyra.
Largimi nga detyra i Sefer Sefes u njoftua që në muajin 15 tetor 2019 madje ai edhe u zëvendësua, por deri më tani nuk është realizuar komunikimi ligjor i kësaj mase. Siç pretendohet në denoncim, ish zyrtari ka dorëzuar një sërë raportesh mjekësore, më i fundit i datës 2 mars 2020, ku thuhet se ai ka probleme shëndetësore. në këto kushte, komisioni disiplinor i autoritetit kombëtar të ushqimit rezulton të jetë tërhequr nga vendimi për të pezulluar nga detyra ish zyrtarin dhe urdhëron që ai të kthehet në detyrë në datën 2 prill 2020.
Por ish drejtori ka refuzuar duke u përgjigjur se gjendet për trajtim mjekësor jashtë vendit. në këtë pikë institucioni që nuk di si të veprojë me ish zyrtarin i është drejtuar prokurorisë dhe kërkon hetime për falsifikim te dokumentave shëndetësore , me pretendimin se katër mjekët nën hetim e kanë pajisur me raporte fiktive. AKU këmbëngul se ish drejtori, edhe ai nën lupën e prokurorisë, nuk ka ka probleme shëndetësore dhe se për ti paraqitur rrethanat të ndryshme ai është ndihmuar nga mjekët. /Anila Hoxha/
Burimi: top-channel.tv