Eklent Kaçi ka dalë i dyti në Euroturin e Treviso, pasi u mposht 5-9 nga gjermani Joshua Filler. Bilardisti shqiptar rikthehet pas dy vitesh në euroturet dhe merr pikë të rëndësishme për renditjen e përgjithshme në EPBF.
Kaçi e nisi garën me një fitore të thjeshtë kundër grekut Nick Chatoupis, me rezultatin 9-1, ndërsa në raundin tjetër Sebastian Batkowski rezistoi, por shqiptari e theu 9-6 me lojë.
Bilardisti kurbinas në “Winners Qualification” u ndesh me gjermanin Tobias Bongers dhe triumfoi 9-5, duke kaluar në “Last 32”. Iker Andoni Echeverria ishte kundërshtari i radhës që e pësoi me Kaçin, po me rezultatin 5-9.
Në “Last 16” shqiptari kishte përballë holandezin e njohur, Niels Feijen. Kaçi e mundi “The Terminator” 9-7, kurse në çerekfinale Maximilian Lechner e pësoi me rezultatin 9-2.
Edhe në gjysmëfinale Kaçi ishte i papërmbajtshëm, pasi mundi 9-3 Tomasz Kaplan. Finalja me Joshua Filler ishte një tjetër histori dhe gjermani që fitoi e pranoi se ishte një duel shumë i vështirë dhe taktik.
“Hapja e gurëve nuk funksionoi për të dy në shumicën e rasteve dhe u desh të luanim taktikisht. Unë kisha finalizimin më mirë. Eklenti bëri një lojë të pabesueshme. Të dy meritonim diçka, por kështu është sporti: ka vetëm një fitues dhe për fat këtë hera isha unë dhe jam i kënaqur që e fitova për herë të tretë Euroturin”
, tha Filler pas ndeshjes.
Në këtë Eurotur ishin të pranishëm edhe disa bilardistë shqiptarë, me Besar Spahiun që u rendit i 17-ti dhe mori hak për humbjen në Botëror, pasi mposhti spanjollin David Alcaide. Gentjan Gega doli i 33-ti, Eduard Bregu dhe Arjan Matrizi e mbyllën në vendin e 65-të, kurse Admir Muho dhe Zamir Hodaj në të 97-in.