Dy raketa janë shkrepur nga Rripi i Gazës në jug të Izraelit, njoftoi ushtria izraelite. Sipas një raporti nga Jerusalem Post, nuk ka të plagosur dhe nuk pati dëme në zonë. Raketat u lëshuan disa ditë para njoftimit të mundshëm të hapave të parë të aneksimit të Bregut Perëndimor nga ana e Izraelit.
Qeveria izraelite mund të fillojë të aneksojë zonat në Bregun Perëndimor dhe Luginën e Jordanit në përputhje me planin e presidentit amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme.
Palestinezët me vendosmëri e kundërshtojnë planin. Sipas mendimit të tyre, ai favorizon Izraelin. Plani është gjithashtu shumë i diskutueshëm ndërkombëtarisht. Krahu i armatosur i organizatës palestineze Hamas, e cila qeveris Rripin e Gazës, e ka përshkruar çdo aneksim si deklaratë lufte.
Hamasi, konsiderohet si një organizatë terroriste nga ana e Izraelit. Shumica e botës i konsiderojnë joligjore vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe planet e aneksimit kanë ngritur shqetësime se masa mund të krijojë paqëndrueshmëri në rajon.
Bregu Perëndimor është okupuar nga Izraeli në luftën arabo-izraelite në vitin 1967. Plani i Trumpit i ofron Izraelit kontroll mbi vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Luginën strategjike të Jordanit si dhe shpall Jerusalemin si “kryeqytetin e pandarë të Izraelit”.
Dokumenti gjithashtu flet për mundësitë e krijimit të shtetit palestinez me kryeqytet në një pjesë të Jerusalemit lindor, por vendos një seri kushtesh që duhet të përmbushen nga palestinezët. Palestinezët kanë thënë se ata nuk e konsiderojnë Uashingtonin si një lojtar të paanshëm në konfliktin që po zgjatë me dekada./REL
Burimi: top-channel.tv