Disa ditë pas protestës së organizuar në Berat kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe çmimeve të ushqimeve, policia ka shoqëruar sot organizatorët e protestës, dy Imamët Gerald Kora dhe Iqmet Bilali si dhe aktivistin e shoqërisë civile Fatjon Kora.
Tre përfaqësuesit e kultit mysliman, pas dhënies fund të protestës kërkuan largimin paqësor të qytetarëve dhe shpërndarjen e tyre.
Ata nuk ishin pjesë e grupimit të njerëzve që bllokuan rrugën dhe u përplasën fizikisht me policinë.
Tre të shoqëruarit ndodhen ambienteve të DVP-së Berat, ndërkohë që familjarë, të afërm dhe përfaqësues të Myftinisë Berat ndodhen përpara godinë së policisë së Beratit.
Aktivistët e shoqërisë civile dhe besimtarët mysliman, Isuf Braho dhe Edmond Shosha, bëjnë apel për lirimin e menjëhershëm të të shoqëruarve, pasi në të kundërt, ata deklarojnë se shoqëria civile dhe komuniteti mysliman do të reagojnë ashpër.
Sipas tyre shoqërimi është i paligjshëm dhe e konsiderojnë presion për të mos reaguar dhe për të penguar fjalën e lirë.