Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Morinari Watanabe, njëherit president i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG).
Watanabe, që po e viziton Kosovën, shoqërohej nga drejtuesit e Federatës së Gjimnastikës së Kosovës (FGJK), kryetari Besim Halilaj, sekretari i përgjithshëm, Amir Tahiraga dhe nënkryetarja Sherife Qerimi.
Presidenti Krasniqi, duke e falënderuar Watanaben për vizitën, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e KOK-ut për bashkëpunim, si me IOC-un, ashtu edhe me FIG-in, në zhvillimin dhe avancimin e gjimnastikës në Kosovë.
I pari i gjimnastikës në botë, që në vendin tonë ishte edhe vitin e kaluar, është shprehur falënderues ndaj presidentit Krasniqi për takimin dhe bashkëpunimin e mirë që KOK ka me IOC, por edhe me federatat sportive në Kosovë, në veçanti me atë të Gjimnastikës.
Arsyeja e ardhjes së japonezit Watanabe në Kosovë, është ndërtimi i Palestrave të gjimnastikës, dhe investimi me pajisje të nevojshme të sallës nga FIG-u, për çka drejtuesit e KOK-ut shprehën bashkëpunimin e thellë dhe ndikimin e tyre tek komunat përkatëse, për ndërtimin e këtyre Palestrave.
Watanabe është takuar sot edhe me ministrin për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, ndërsa planifikon që nesër të takohet edhe me drejtuesit e komunave të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Skënderajt, aty ku krerët e FGJK-së, planifikojnë të ndërtohen sallat.