Ish- deputeti Asllan Dogjani, është shprehur se situata e rendit në vendin tonë, nuk ka qenë asnjëherë më keq se sa sot, duke iu referuar edhe rastit të fundit të arrestimit të shumëkërkuarit Nuredin Dumani.
Në një intervistë për Ora News , Dogjani u shpreh se shteti ka rënë ndërsa shtoi se territori i vendit tonë kontrollohet nga grupet kriminale.
Asllan Dogjani: Duke u nisur nga intensitetit, dinamika, e ngjarjeve kriminale në vendin tonë, mendoj se për shumë vite situata e rendit nuk ka qenë më keq se sa sot. Duke parë se persona të armatosur lëvizin pa frikën e shtetit, e them me bindje se shteti jo vetëm ka rënë por nuk ekziston fare. Në vend që territori të kontrollohet nga shteti përmes policisë, kontrollin e territorit sot e kontrollojnë grupet kriminale.
Ai tha se policia i njeh grupet kriminale, por nuk guxon që t’i ndalojë pasi janë të lidhur me politikën.
Ish-deputeti u shpreh se grupet kriminale përdoren politikisht në fushata elektorale.
Asllan Dogjani: Këta grupe kriminale janë shumë përpara shtetit. Shkaqet janë të shumta se përse kemi ardhur këtu, por policia e shtetit nuk guxon t’i ndalojë në rrugë këta persona. Jo se nuk i njeh, por policia ka dalë nga roli i saj. Policia mjaftohet vetëm kur vritet ndonjëri e shkon në vendngjarje apo kur plagoset siç ishte rasti i Nuredin Dumanit.
Në vend që të bëjë një punë parandaluese siç është detyra numër 1 e shtetit, policia merret me gjobat e qytetarëve dhe nuk guxon ta ndalojë. Pse nuk guxon ta ndalojë? Sepse këta persona janë të lidhur me politikën, përdoren politikisht në fushata elektorale. Grupet kriminale ndikuan edhe në zgjedhje. Policia i di. Kur në policinë e shtetit nuk futen njerëz sipas aftësive, por futen për shkak të lidhjeve që kanë lidhje me politikën, sigurisht që polici nuk guxon ta ndalojë atë.
Më tej ai tha se situata në vendin tonë është jashtë kontrollit, ndërsa shtoi se bashkëpunimi me policisë dhe qytetarit ka humbur pasi kjo e fundit nuk ka më besim te rendi.
Asllan Dogjani: Situata është jashtë kontrollit. Në shoqërinë shqiptare po mbizotëron e keqja, po mbizotërojnë grupe kriminale. Policia duhet të bashkëpunojë me publikun. Është hapur një armiqësi shumë e madhe mes qytetarit dhe policit. Sot qytetarët nuk e ndihmojnë më policinë e shtetit, sepse me politikat që ka bërë kjo e fundit ka krijuar një armiqësi. Policia nuk mund ta kontrollojë territorin vet nëse nuk ka burime informacioni. Bashkëpunimi mes qytetarit dhe policit ka humbur. Policia është marrë me shumë probleme të tjera por jo me krimin. Njerëzit që qëlluan ndaj Dumanit duhet të ishin kapur më para, duhet të ishin kapur para se ndodhte ngjarja e Rinas-it.