“Jo i përshtatshëm”, “i rekomanduar” dhe mbi të gjitha “biri i trajnerit”. Davide Ancelotti ka dëgjuar shumë në karrierën e tij përkrah babait të tij Carlo. Megjithatë, historia flet vetë dhe të gjitha këto akuza janë arkëtuar e përgënjeshtruar me fakte.
I intervistuar nga “Il Giornale”, djali i trajnerit të Real Madridit foli në 360° për karrierën e tij. Nga fillimet si përgatitje deri në “promovimin” e tij në fushë si zëvendës i atij që është bërë në fakt trajneri më i suksesshëm në nivel ndërkombëtar.
FILLIMET – “Unë e kam filluar në Paris si një nga trajnerët e sektorit të të rinjve dhe madje me atë rast kam shfaqur gjithmonë një kuriozitet: për të më bindur të adoptoja disa kritere stërvitore, duhej të më shpjegonin arsyen. Unë kam qenë gjithmonë shumë kurioz për të kuptuar, për të kontrolluar, sepse sektori im specifik është përgatitja fizike”.
REAL MADRIDI – Por eksperienca e parë reale e rëndësishme që shënoi karrierën e tij është te Real Madridi: “Fillova të hedh hapin e parë të madh. Kishte kampionë të mëdhenj dhe të titulluar për të menaxhuar si Sergio Ramos, Cristiano Ronaldo. Asokohe isha vetëm 23 vjeç dhe duhej t’i bindja për të marrë miratimin e tyre. Më kujtohet një episod që e konsideroj fillimin e gjithçkaje.
Pas disa ditësh punë, Casillas, portieri, më merr mënjanë dhe më thotë: Davide, në fund të stërvitjes le të shkojmë në palestrën e klubit për të bërë stërvitje ekstra. E kuptova që po më bënte një test, një provim të vërtetë. Fillimisht u trazova pak, më pas u shkriva. I shpjegova se cilat ushtrime ishin të dobishme për strukturën e tij fizike dhe për rolin e tij si portier. Ishte promovim në fushë”.
AKUZAT – Nga ajo eksperiencë te Bayern Munich nisën edhe kritikat e akuzat ndaj tij: “Kam dëgjuar për nepotizëm. Fillimisht vuajta pak, më pas mendova: Nëse është kështu, duhet të flasin gjithmonë, si kur fiton, ashtu edhe kur humb. Nisa t’i bindja njerëzit sidomos te Napoli, vitin e parë, që përkoi me një kampionat me vlera të shkëlqyera, askush nuk e hapi gojën. “Helmet” e para u shfaqën gjatë kampionatit të dytë, shoqëruar me rezultate zhgënjyese”.