Zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashki të vendit treguan se Partia Demokratike ka humbur elektoratin e saj besnik.
Në pesë nga gjashtë bashkitë ku këtë të diel u mbajtën zgjedhje lokale, kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të krijuar nga Sali Berisha dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë marrë më shumë vota se kandidatët e Partisë Demokratike.
Në selinë blu sot do të mbahet mbledhja e partisë. Të pyetur nga gazetarët nëse lidershipi i së djathtës dhe kryedemokrati Lulzim Basha duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen e thellë, deputetët demokrat janë treguar të rezervuar. Shumica prej tyre nuk kanë komentuar, ndërkohë që Ervin Salianji e përshkroi situatën me një fjalë të vetme: “Ditë e tmerrshme, pa diskutim”.
Grida Duma tha se rezultati është dëshpërues dhe për këtë duhen marrë vendime të rëndësishme, por tha se mendimin e sja do ta japë për mediet pasi ta thotë në mbledhjen e PD-së:
“Është dëshpërues rezultati, në një mënyrë apo një tjetër, krejtësisht i papritur. Duhet marrë përgjegjësi dhe duhen marrë vendime politike”.