Nga Kim Mehmeti
Kur një shoqëri i afrohet pikës më të rrezikshme të saj, mos ndjeshmërisë ndaj fatit të vet kolektiv dhe ndaj përbuzjes që ia bëjnë pushtetarët dhe të pasurit, kur një vend bie ne duart e krimit dhe hajdutërisë, kur gjithë idealet e një populli bëhen pjesë e cirkut politik, kur tradita dhe kultura e një kombi bëhen shtrat ku bëjnë gjumë pushtetarët, ajo tregon se ai popull ka elita të sëmura nga sëmundja ‘vdekjeprurëse’ – nga paturpësia!
Nga kjo sëmundje, kryesisht, vuajnë ata që shikojnë vetëm sofrën e ‘mbretit’ nga e cila ushqehen, e jo edhe atë që ndodh rreth tyre, kjo sëmundje përhapet kur shoqëritë ndjehen të lodhur nga vetvetja, kur shuhen shpresat se diçka mund të ndryshojë dhe kur ata që duhet t’u prijnë ndryshimeve, mbeten me kokën e zhytur në grazhdin e pushtetit.
Dhe ne jetojmë në kohë kur të duket se gjithë shqiptarinë e ka pushtuar një lodhje e frikshme, e cila atë e bënë të pandjeshme edhe ndaj rrënimit të Tetarit Kombëtarë, edhe ndaj Ballkanit të Hapur me shqiptarinë të cilën do e bashkojë Beogradi , ndaj paturpësisë së pushtetarëve shqiptarë që më shumë brengosen si tua shpërlajnë duart e përgjakura kriminelëve serb se sa ku prehen viktimat e pagjetura shqiptare nga Kosova.
Po pra, kur idealet e një kombi nuk kanë ku të mbështeten, mos ndjeshmëria e popullit ndaj fatit të vetë kolektiv bëhet sëmundje ‘vdekjeprurëse’. Dhe kjo sëmundje popullit në fillim ia ‘merr’ rininë, duke e degdisur atë anëve të botës, pastaj, ua merr aftësinë e të folurit atyre që në mos më shumë.
Kryeministrit të Shqipërisë do duhej t’i thoshin: Zotëri, mos pandeh se çdoherë e çdokund më me ndikim janë prodhuesit e hashashit dhe se do mund t’i shpërlash mëkatet me paratë e pasanikëve që sot t’i blejnë votat!
Por për fat të keq askush nuk thotë asgjë dhe shumica e të ‘urtëve’ tanë heshtin. Flasin vetëm ata që e adhurojnë Piktorin dhe e urrejnë Kryeministrin e Kosovës. Pra ata që e duan helmin politik që i asgjëson gjitha idealet dhe shpresat e shqiptarisë, që ia merr ‘frymën’ frymës që solli Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, frymë që do mund ta pastrojë shqiptarinë nga ‘Rilindësit’ që e kriminalizuan Shqipërinë dhe nga ata që ia dolën ta çlirojnë Kosovën nga të huajt, por jo edhe ta mbrojnë atë nga grykësia e tyre për pushtet dhe nga tregtari që bartnin në vetvete.