Pas djegies së raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, ku opozita nuk dërgoi asnjë kandidaturë, ditën e sotme në orën 18:00 pritet të zhvillohet seanca plenare në Kuvend.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm, u mblodh Komisioni Parlamentar i Ligjeve për të shqyrtuar kandidaturat.
Pas konstatimit se nuk kishte asnjë kandidaturë për emrin e presidentit nga opozita, mbledhja u mbyll duke njoftuar se mbledhja tjetër do të njoftohet pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur të martën e kaluar vendosi që ditën e djeshme në orën 16:00 kandidatët me 20 firma deputetësh të depozitoheshin në Kryesinë e Kuvendit.
Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi palët politike nuk e gjetën gjuhën e përbashkët për një emër në raundin e dytë.
Ky raund dhe raundi i tretë kërkojnë 84 vota. Nëse as në raundin e tretë nuk do të ketë një kandidaturë atëherë në raundin e katërt, Partia Socialiste do ta zgjedhë e vetme kreun e ri të shtetit.
/abc24.al/