Liverpool ka humbur mbrëmë nga Arsenali, në Emirates, 2 me 1, duke ia pamundësuar vetes ta regjistrojë një rekord unik për klubin.
The Reds, që e siguruan titullin e kampionit të Anglisë në futboll, disa javë më parë, nuk do të kenë gjasa ta arrijnë shifrën magjike prej 100 pikëve në sezon.
Ekipi i Jurgen Klop ta tubuar 93 pikë nga 36 ndeshje. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe dy xhiro, çfarë do të thotë se Liverpool, edhe nëse i fiton ato, nuk e mbërrin kuotën “shekullore” 100. Maksimumi që mund t’i kapin të kuqtë këtë sezon është 99 pikë.
Klop tha pas ndeshjes me Arsenal se nuk ishte i fiksuar pas arritjes, me çdo kusht, të këtij rekordi.
“Jo, aspak”, tha ai kur u pyet, raportojnë mediat në Angli, përcjellë klankosova.tv “Unë thjesht doja që t’i marrim edhe ato pikë që mund t’i kapim dhe të shohim se sa janë krejt në fund të sezonit”.
Sipas trajnerit gjerman, nuk është humbje e madhe mosarritja e 100 pikëve, në një sezon të shkëlqyer për klubin nga Merseyside.
“Nuk mund ta shndërrojë në dicka negative dicka që ka qenë me të vërtetë pozitive – titulli kampion dhe kapja e 93 pikëve kaq herët në sezon”, shtoi Klop. “Pra, nuk jam një tip personi që i sheh gjërat negativisht për shkak të faktit se nuk mund t’i bëjmë 100 pikë, ose pse nuk i fitojmë dot edhe dy pikë më tepër për ta arritur këtë cak”.
Duke humbur këtë mundësi, Liverpool dështoi të barazohet me Manchester City, që në sezonin 2017-2018 u shpall kampion me 100 pikë të arritura në sezon.