Nuk ka dhënë fitues derbi i xhiros së 33-të të La Ligas spanjolle. Gola kishte me bollëk e po ashtu penallti, në sfidën në mes të Barcelonës dhe Atletico Madridit.
Rezultati në fund ishte 2:2, që i shërben më së shumti rivalit të dy skuadrave, Real Madridit.
Në këtë ndeshje dramatike janë dhënë gjithsej tri penallti, që janë shndërruar në gola.
Diego Costa shënoi autogol në minutën e 11-të për epërsinë 1:0 të Barcelonës. I njëjti futbollist humbi penallti në minutën e 18-të.
Por pas rishikimit të situatës përmes sistemit VAR, penalltia u ekzekutua edhe një herë, pasi portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, kishte dalë nga porta me rastin e goditjes së Costas. Në tentimin e dytë i pagabueshëm ishte Saul Niguez që barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 19-të.
Superylli Lionel Messi shënoi për 2:1 në minutën e 50-të, prapë nga pika e bardhë. Prej penalltisë u shënua edhe goli i fundit, i barazimit 2:2. Saul Niguez realizoi sërish në minutën e 62-të.
Barcelona ka zvogëluar dukshëm gjasat për titull pas këtij barazimi. Renditet e dyta me 70 pikë, një më pak se Real Madridi. Por Reali e ka edhe një ndeshje më pak të luajtur. Të enjten e pret Getafen.