Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi Rilindasin e shquar, martirin e gjuhës shqipe dhe mësuesin Koto Hoxhi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Për kontributin e shquar në hedhjen e themeleve të arsimit dhe gjuhës shqipe, të rilindjes kulturore e letrare shqiptare, si dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare në shërbim të luftës për pavarësinë e Shqipërisë.
Në vlerësim të veprimtarisë së çmuar si mësues, atdhetar dhe krijues i talentuar ai iu përkushtua deri në sakrificën më sublime atdhedashurisë, historisë, gjuhës, harmonisë fetare, identitetit shqiptar dhe lirisë së vendit”.
Në fjalën e tij të rastit gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm personalitete të kulturës, studiues dhe akademikë, drejtues institucionesh dhe anëtarë Shoqatës kulturore “Lunxhëria”, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se, “në shekuj Lunxhëria ia ka dalë të shkruajë faqe të lavdishme atdhetarie, arsimimi, kulture dhe emancipimi shoqëror”.
“Fjalët sonte nuk do të mjaftonin për të përcjellë gjithë respektin, mirënjohjen dhe nderimin shtetëror për krahinën tuaj të mrekullueshme.
Nuk ka studiues, vizitor apo udhëtar të famshëm, përfshi edhe Lord Bajronin, i cili ka përshkuar Lunxhërinë, e të mos ketë mbetur i mahnitur me bukuritë e natyrës, mikpritjen lunxhiote, kostumet, vallet, këngët dhe traditat tuaja të mrekullueshme”, tha ai.
“Në çdo etapë të historisë ju keni gdhendur në gur e nëpër fletë të shkruara historie gjurmët e qytetërimit dhe të përpjekjeve për liri, edukim dhe kulturë si dhe ruajtje të paepur të trashëgimisë sonë aq të vyer kombëtare.
Lunxhiotët kanë besuar përherë tek drita e shpirtit, tek dija, Zoti dhe liria”, u shpreh Meta.
“Në këtë truall të bekuar nga Zoti e të mrekullueshëm, ata ndërtuan me shije objekte kulti, hapën shkolla dhe luftuan përherë për pavarësi dhe jetë më të begatë!
Në shtëpitë e tyre plot dritë u përhap mësimi parë i gjuhës shqipe, u shkrua dhe u luajt drama e parë në gjuhën tonë amtare ‘Një dasmë në Lunxhëri’, shkruar 150 vite më parë prej të madhit Koto Hoxhi”, tha Meta.
“Nga duart e arta të grave e vajzave u qepën kostumet më të hijshme të pakrahasueshme në botë. Ndërsa mjeshtrit e gurit ndërtuan banesa, shkolla, kisha e manastire me shumë art!
“Nga ky panteon vlerash, në pamundësi për t’i vlerësuar të gjithë, sot zgjodhëm atdhetarin, martirin e gjuhës sonë, dramaturgun dhe mësuesin e rilindësve të mëdhenj, Koto Hoxhin.
Ky pionier i arsimit shqiptar mbolli në errësirën e kohës farën e dijes, të alfabetit dhe të gjuhës shqipe. Ai edukoi me ndjenjën e lirisë dhe krenarinë e identitetit kombëtar Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, por edhe shumë të tjerë.
Koto Hoxhi ishte ndër luftëtarët më të vendosur të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit shqiptar bashkë me patriotët Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri”, u shpreh Meta.
“Ne jemi mbledhur së bashku jo vetëm ta kujtojmë, por edhe ta vlerësojmë lunxhiotin e famshëm me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.
Me këtë gjest ne nderojmë kontributin e tij në shërbim të kombit, por edhe përcjellim mesazhin e përkushtimit patriotik për gjeneratat e reja!
Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte produkt i fatit dhe i rrethanave të kohës, por në radhë të parë i luftës, sakrificës dhe përpjekjeve të burrave dhe grave më të përkushtuara të kësaj toke”, tha Meta.