Një grup prej më shumë se 300 mjekësh në Serbi, të mbledhur rreth nismës “Të bashkuar kundër COVID-19”, i drejtoi një letër të hapur ekzekutivit vendas duke kërkuar dorëheqjen e Shtabit të Krizës.
Sipas këtyre mjekëve, Serbia përballet praktikisht me një “katastrofë shëndetësore publike”. Nënshkruesit e letrës kërkuan formimin e një shtabi të ri, hetimin e pretendimeve se ka pasur fshehje të të dhënave si dhe ndalimin e frikësimeve dhe politizimeve që si1ç thonë ata “cënojnë dinjitetin personal të punonjësve shëndetësorë”.
“Lehtësimi i plotë i masave anti-epidemike në periudhën parazgjedhore (mitingjet, ndeshjet, turnetë, festimet) ka çuar në humbjen e kontrollit mbi situatën epidemiologjike dhe kjo në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohet me motive profesionale”, thuhet në letrën e mjekëve.Sipas tyre, “hutimi në lidhje me numrin e të sëmurëve dhe të viktimave u shkaktua nga mospajtimi me pritjet statistikore dhe epidemiologjike, njohuritë nga puna e përditshme dhe deklaratat kontradiktore në publik”.
Mjekët thanë se “e gjithë kjo ka tronditur rëndë sistemin shëndetësor dhe ka minuar besimin e qytetarëve dhe të punonjësve”. Në muajin qershor, Rrjeti Investigativ BIRN raportoi se numri i viktimave nga koronavirusi në Serbi është shumë më i lartë nga sa raportohet. Sipas BIRN-it, të dhënat ku ka pasur qasje ai, tregonin se në Serbi, nga data 19 mars deri në 1 qershor, 2020, kishin vdekur 632 pacientë nga koronavirusi, në një kohë kur për këtë periudhë, numri zyrtar I jetëve të humbura ishte 244. Aktualisht, Serbia regjistron mbi 20,000 raste pozitive dhe 472 pacientë të vdekur.
Burimi: top-channel.tv