Mark Clattenburg, një nga arbitrat më të mirë në Europë, vitet e fundit, ka zbuluar për “Sportsmail” sjelljet e atyre, që ai i kosnideron pesë futbollistët më të mirë dhe që ai i ka gjykuar. Anglezi përqendrohet, ndër të tjerë, te Cristiano Ronaldo, Messi dhe Luis Suárez.
CR7 – “Personalisht, ia admirova mbi të gjitha aftësinë për të përmirësuar lojën e tij, kur skuadra ishte në rënie. Unë e gjykova atë si një lojtar të ri në Premier League, pastaj edhe me Real Madridin. Gjithmonë ishte korrekt, e kam kaluar shumë mirë me të. Kur u ngjita lart, në podium, për të marrë medaljen time pas finales së “Euro 2016”, Ronaldo u përpoq të më përqafonte. Ky ishte niveli i respektit, që kishim për njëri-tjetrin. Më zhgënjeu disi, sepse u dëmtua herët në atë finale. Ndeshja dhe unë humbëm një lojtar të shkëlqyeshëm.
Sidoqoftë, kurrë nuk e trajtova atë ndryshe nga lojtarët e tjerë. Mendoj se kjo është arsyeja pse kemi pasur një marrëdhënie të mirë. Pas një ndeshjeje, një fanellë e tij mbërriti në dhomën time të zhveshjes, me mbishkrimin: Mark, prano urimet e mia më të mira! Cristiano Ronaldo. Në të vërtetë, unë as që ia kisha kërkuar fanellën, por ishte një gjest kaq i bukur. Herën e parë, që e gjykova me Real Madridin, mbaj mend që Iker Casillas e niste topin nga zona e tij dhe me tri pasime kishin shënuar. Ronaldo nuk e kishte kaluar as vijën e mesfushës, por kjo është ajo, që lojtarët e shkëlqyer si Ronaldo mund të bëjnë. Ishte shumë i shpejtë dhe klinik”.
Messi – “Kur e gjykova për herë të parë Messin, u befasova me të vërtetë. Ishte Barcelona-PSG dhe, duke qenë aq afër, mbaj mend që mendoja: Oh, Zoti im, ky qenka i mahnitshëm! Kur arbitroni, ju keni tendencë të shikoni topin. Si gjyqtar nuk duhet ta humbisni vëmendjen ndaj topit, por me Messi në fushë ndryshojnë gjërat. Imagjinoni se çfarë makthi kanë mbrojtësit prej tij! Më duhej ta ndryshoja mënyrën e analizimit të lojës, kur ishte ai në fushë.
Leo ishte aq i aftë, sa kundërshtarët përpiqeshin ta ndalonin në mënyra të ndryshme, ndonjëherë duke e goditur në këmbë, ndonjëherë më sipër në trup. Unë e paralajmërova në atë ndeshje të parë, kundër PSG, që të kërcente para se të përplasej me këmbët e kundërshtarit, por asnjëherë nuk u ankua, nuk tha asgjë. Si gjyqtar shpreson ta ndash një ditë me Messi, sepse e di që ajo ndeshje do të jetë patjetër e veçantë”.
Luis Suárez – “Ndeshja ime e parë, që e gjykova, ishte në kohën e Ajax. Ai shënoi katër gola. Kur u ktheva në shtëpi u thashë miqve të mi: Çfarë lojtari, ai është i pabesueshëm! Suarez kishte një anë të ndyrë, si Diego Costa, por ishte shumë i talentuar. Isha i emocionuar, kur Liverpool e bleu atë, sepse e dija se çfarë lojtari i pabesueshëm po vinte në Premier League. Suarez gjithmonë të fliste në spanjisht, por unë kisha referuar në të gjithë botën dhe i njihja fjalët e shëmtuara, kështu e kuptoja. Nëse je gjyqtar, duhet të dini si të merreni me lojtarë si Suarez. Nëse jo, ju shkaktoni më shumë probleme për të ardhmen”.