Ujërat e brigjeve ku do të lahen pushuesit këtë sezon turistik në Shqipëri marrin një vlerësim pozitiv për cilësinë. Agjencia Europiane e Mjedisit i njeh Shqipërisë përmirësimin e madh të bërë përgjatë viteve të fundit.
Nëse në vitin 2015, 39.1% e pikave të monitoruara konsideroheshin me cilësi të dobët, sot vetëm 6.7% nuk e kalojnë klasën, falë ndërtimit të pesë impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.
Në hartën ku përmblidhen gjetjet e raportit, zonat me ngjyrë të kuqe, që nuk këshillohet të lahesh gjenden pranë zonës së Portit në Durrës, në plazhin e vjetër pranë Portit të Vlorës dhe në liqenin e Ohrit pranë qytetit të Pogradecit.
Zona e Golemit, plazhi i Darëzezës dhe Saranda kanë pasur përmirësimin më të madh në cilësi vitet e fundit, ndërsa kryesisht riviera e Jugut, Shëngjini dhe Velipoja vazhdojnë të marrin vlerësim maksimal.
Agjencia Europiane e Mjedisit vlerëson gjithsesi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ujërave.
Kjo pasi në Bashkimin Europian vetëm 1.6% e zonave marrin një notë ngelëse, ndërsa në shtetet rivale në turizëm si Greqia dhe Kroacia, nuk ka asnjë plazh të ndotur dhe mbi 95% marrin notën maksimale./A2 CNN