Prestigjiozja sportive italiane “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një shkrim të veçantë sulmuesit tonë të kombëtares, Armando Broja. Duke e trajtuar si personazh të spikatur sezonal në Premier League, e lançon si talent me të ardhme të ndritur edhe për klubet italiane të interesuara. Ja shkrimi i plotë:
“Vibrimet e para pozitive tashmë vijnë nga emri, ku lidhja me Maradonën është praktikisht automatike. Megjithatë, karakteristikat e Armando Brojës janë ato të sulmuesit modern: fizik i fuqishëm, start i shpejtë, finalizues i zoti.
Cilësi të ngjashme me ato të Victor Osimhen, të cilin mund ta zëvendësojë Napolin. Cristiano Giuntoli e ka identifikuar atë si një zgjidhje për sulmin, teksa De Laurentiis po dorëzohet përballë një oferte monstruoze nga Premier League prej 100 milionë eurosh.
Presidenti e bëri të qartë se llogaritë e klubit duhet të korrigjohen dhe një shitje e kësaj përmase do të ishte thelbësore në këtë drejtim. Arsenali është më i interesuari, por fillimi i negociatave është i kushtëzuar me kualifikimin e “Topçinjve” në Champions League. Manchester United dhe Newcastle po i ndjekin nga afër zhvillimet.
KUSH ËSHTË – Broja është në pronësi të Chelsea, i cili e huazoi për të dytin vit radhazi, fillimisht te Vitesse dhe më pas te Southampton. I lindur në vitin 2001 në Angli nga prindër shqiptarë, ai ka zgjedhur Shqipërinë si kombëtare. I vënë re nga skautët e Tottenhamit qysh fëmijë, ai iu bashkua Chelsea në moshën 8-vjeçare.
Broja ka qenë gjithmonë një tifoz i madh i bluve, ku ka bërë të gjithë kursin stërvitor. Ai ka kaluar disa momente të komplikuara gjatë viteve 2018-2019, të cilat i kapërceu falë thirrjes së Shqipërisë U-19. Ky besim shënon pikën e kthesës në karrierën e tij.
Në sezonin në vijim shfaqet me të rinjtë e Chelsea, kështu që Lampard i dha mundësinë e debutimit me ekipin e parë këtu e dy vite të shkuara. Më pas kaloi te Vitesse, ku iu besua kujdesit të Tore André Flo, i cili punon në Holandë si vëzhgues për klubin anglez. Ish-sulmuesi e udhëzon atë dhe shpesh dërgon përditësime për rritjen e Brojës në Londër.
Shqiptari fillimisht nuk u duk i prirur për ta pranuar destinacionin holandez. Johannes Spors, tani drejtori sportiv i Genoa, duhej të punonte shumë për ta bindur atë. Më në fund lojtari dha dritën jeshile. Broja mendoi për idhullin e tij, Ronaldon (fenomenin).
Edhe për legjendën braziliane, Eredivisie kishte qenë një moment historik në karrierë. Me fanellën e Vitesse ai shënoi 11 gola në 34 ndeshje. Te Southampton mban pothuajse shifra të ngjashme, me 9 gola në 35 paraqitje. Hasenhuttl e pëlqen mënyrën e tij të lojës, por është e vështirë ta mbajë te ‘shenjtorët’ edhe një sezon tjetër.
ENTURAZHI – Familja e Brojës luan një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e lojtarit. Në një intervistë, nëna e tij Blerina e bëri të qartë se prioriteti i Armandos është që të ketë një vazhdimësi të caktuar dhe se vendimi për të ardhmen do të merret nga e gjithë familja.
Ëndrra mbetet të luajë si titullar me Chelsea, ku megjithatë është dukshëm më e vështirë të gjejë hapësira. “Dua të provoj të kaloj Drogba. Do të jetë një sfidë, por ky është mentaliteti im”, – tha shqiptari vetëm një vit më parë, kur ishte te Vitesse. Është ende herët, ndoshta, por sigurisht që nuk i mungojnë ambiciet dhe indiciet”.