Pasi mijëra biznese u detyruan të mbyllen në përputhje me urdhrat për izolim për të penguar përhapjen e pandemisë, shumë prej këtyre bizneseve menduan se ky ishte momenti i përshtatshëm për të paraqitur kërkesë për pagesë nga siguracionet për ndërprerjen e biznesit.
Por pagesat mund të mos sigurohen lehtë, pasi në 2002 industria e siguracioneve pësoi ndryshime gjatë periudhës së SARS-it. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Valentina Vasileva ka biseduar me biznesmenë të goditur nga pandemia dhe me agjenci sigurimesh për të marrë mendimet e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme:
Restorantet janë udhëzuar të krijojnë distancë fizike mes tavolinave për të mos lejuar përhapjen e virusit.
Në një restorant në Uashington, pronari tregon se përdor modelin ‘një po, një jo’ për të ulur klientët. Në bar ulen vetëm katër klientë, në vend të kapacitetit të plotë prej 20 vetësh. Restorantet në Uashington mund të operojnë vetëm me 50% kapacitet në mjedise të brendshme. Kjo nënkupton shkurtimin prej 50% ose më shumë të xhiros, pas periudhës së mbylljes së plotë mars-qershor.
“Pushuam disa punonjës, pezulluam disa të tjerë pa pagë, pasi arritën të sigurojnë asistencë papunësie. Tani thuajse të gjithë janë kthyer,” thotë pronari i restorantit “Medium Rare”.
Pronari i restorantit “Medium Rare” thotë se pandemia i ka kushtuar qindra mijëra dollar. Në përpjekje për të zbutur dëmin, ai kontaktoi kompaninë e sigurimeve me shpresën se do të siguronte 25 mijë dollarë për situata kritike.
“…si shumë pronarë të tjerë restorantesh, ne paraqitëm kërkesë duke argumentuar se rrethana të pakontrollueshme na detyruan të mbyllim biznesin dhe se kërkojmë kompensim për shitjet dhe fitimet e humbura, në përputhje me kushtet e sigurimeve që paguanim. Shumë shpejt na kthyen përgjigje se “po kundërshtonin kërkesën tone pasi pandemia nuk përfshihet në rrethanat për të cilat ofrohet kompensim,” thotë zoti Bucher.
Kompanitë e sigurimeve ndryshuan politikat pas pandemisë së SARS-it gjatë 2002-2003, kur këto kompani u detyruan të paguajnë kompensime prej miliona dollarësh.
Disa kompani e shprehën qartë ndryshimin në dokumentacionin e tyre, të tjerat ishin më enigmatike në mënyrën si e përshkruanin ndryshimin. Ekspertë të pavarur thonë se çdo gjë varet nga mënyra si e interpreton kontratën:
“Dallimi qëndron këtu: nëse kërkojnë mbulimin e kostove për humbje fizike, nuk do t’u ecë. Por politika nuk duhet të vërë si parakusht humbje fizike që të quhet e vlefshme. Disa biznese, megjithëse nuk kanë humbje fizike po bëjnë gjithsesi kërkesë duke pretenduar se kanë pasur humbje fizike,” thotë juristi Allan Poteshman.
Kompanitë e sigurimeve thonë se kushtet e reja nuk u shtuan për të mos paguar klientët, por sepse kjo industri do ta kishte të pamundur të mbijetonte me pagesa të tilla.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë ndonjëherë një goditje të tillë shkatërrimtare. Uragani Katrina u kushtoi kompanive të sigurimeve 54 miliardë dollarë. Pandemia e COVID-it, sipas Shoqatës Amerikane për Sigurimin e Pronave ka sjellë humbje prej 250-430 miliardë dollarë në muaj vetëm për bizneset e vogla. Kjo shumë paraqet më shumë se gjysmën e totalit që kanë kompanitë e sigurimeve për të mbuluar humbje në të ardhmen.
“Nëse pandemia përmedet specifikisht në kontratë, numri i aplikimeve do të ishte aq i madh sa që do të tejkalonte shumat që mund të paguajnë kompanitë e sigurimeve,” thotë pronari i një kompanie sigurimesh.
Kompanitë e sigurimeve thonë se në kushtet e sotme, qeveria duhet të mbështesë me fonde biznesin e vogël. Por pronarët e bizneseve të vogla këmbëngulin se qeveria duhet të ndryshojë ligjet që t’ua bëjë të pamundur kompanive të sigurimeve të shmangin përgjegjësinë për pagesa në rrethana të jashtëzakonshme, si rasti i pandemive./VOA/
Burimi: top-channel.tv