Olivier Bierhoff është drejtori sportiv i kombëtares gjermane, favorite e përjetshme e çdo kompeticioni që zhvillohet, përjashto Kupën e Botës në Rusi, ku bëri një paraqitje për t’u harruar. Pas saj, kjo kombëtare iu nënshtrua rindërtimit brenda dhe jashtë fushës. Në të njëjtën kohë, Gjermania ka brenda saj talente si Kai Havertz, të cilin Bierhoff e sheh të gatshëm të luajë dhe të ketë sukses te Real Madridi. Ish-sulmuesi mitik i “Mannschaft”, autori i golit të parë të artë, që vendosi një turne të ekipeve kombëtare (“Euro 1996”), nuk ka luajtur kurrë në Spanjë, një vend në të cilin tani shijon Toni Kroos, sipas mendimit të tij, gjermani më i rëndësishëm në kampionatin iberik.
“Ne jemi duke zhvilluar një plan për qendrën tonë të re të performancës së lartë, me të cilën synojmë të bëjmë një hap në cilësi, duam të jemi në një nivel tjetër si kombëtare. Në futbollin e ekipeve kombëtare ka plot kthesa e të paparitura. Franca fitoi Botërorin 1998, ndërsa në “Euro 2000” pati njëfarë rënieje. E njëjta gjë ndodhi me ne pas Kupës së Botës 2014, Spanja po ashtu… Futbolli është me cikle. Unë dua që futbolli gjerman të jetë gjithmonë në krye, pa pasur më kaq shumë rënie si në Botërorin e Rusisë. Në fakt, ky është futbolli, është pothuajse e pashmangshme. Ne fituam Kupën e Botës në Brazil dhe menduam se ishim më të mirët, pa diskutim, ndaj ndaluam së përparuari, duke u përmirësuar. Nuk do të qëndrojmë më duarkryq. Realiteti është se duhet të evoluoni gjithnjë dhe të përmirësoheni, veçanërisht kur fitoni.
Dhe për këtë, ajo qendër e performancës së lartë, për të cilën po flas, do të jetë shumë e rëndësishme. Nga çfarë përbëhet ajo? Unë do t’ju them se është pothuajse një projekt unik në botë. Nuk po flas për një “qytet sportive”, të gjithë e kanë atë. Unë flas për një qendër ku lojtarët më të mirë, trajnerët, ekspertët, të rinjtë përkojnë…
Pra, të gjithë pasurohemi profesionalisht atje. Kjo qendër do të jetë në dispozicion për të gjithë, gjithashtu për klubet. Për shembull, në atë qendër kryetrajnerët, trajnerët e dytë, trajnerët e portierëve, trainerët fizikë do të jenë në gjendje të evoluojnë gjithmonë. Ne po krijojmë një qendër ekskluzive, që do të na japë shumë në të ardhmen”, – thotë Oliver Bierhoff.