Miralem Pjanic është një nga objektivat e merkatos verore të Barcelonës, që ka arritur marrëveshjen me mesfushorin boshnjak, por nuk po arrin të gjejë gjuhën e përbashkët me klubin e Juventusit, që disponon kartonin e tij.
Kjo pasi fillimisht u diskutua për një shkëmbim kokë më kokë me mesfushorin brazilian Arthur, por ky i fundit mbajti një qëndrim të prerë kundër transferimit në Torino, pasi dëshiron të luajë shanset e tij të “Camp Nou”.
Së fundi drejtuesit e Juventusit hodhën idenë e një shkëmbimi me sulmuesin e talentuar Ansu Fati, por sipas mediave spanjolle, përgjigja e Barcelonës ka qenë negative, pasi katalanët nuk duan të privohen nga 17-vjeçari, që cilësohet si një element me të ardhme të ndritur.
Negociatat mes klubeve vazhdojnë dhe ka tendencë që gjithçka të mbyllet me sukses, teksa Barcelona ka lënë vetëm dy mundësi shkëmbimi, portugezin Nelson Semedo dhe francezin Ousmane Dembele, ndërsa tani duhet që te Juventusi të zgjedhin se te cili të besojnë.
Që të dy emrat kanë miratimin paraprak nga Sarri, pasi mund të përshtaten mjaft mirë në rreshtimin 4-3-3 që tekniku po përgatitet të përdorë sezonin e ardhshëm, ndaj tani drejtuesit e Juves duhet të shohin cili profil është më i leverdisshëm ekonomikisht.