SPAK ka nisur një hetim pasuror për shtetasin Eduard Dauti, pronarit të kompanisë Alba Exotic Fruit, në kontenierët e të cilës u sekuestruan sasi kokaine.
Nga raportimet mësohet se nga hetimet e deritanishme janë konstatuar disa pasuri të Dautit që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal. Në pronësi të 51-vjeçarit rezulton një automjet i Mercedes-Benz, një motor, 6 sipërfaqe toke, një apartament dhe dy garazhe.
Po kështu janë siguruar informacione se Dauti disponon edhe shuma të mëdha parash në disa banka të nivelit të dytë në emër të familjarëve dhe persona të lidhur me të.
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Eduard Dautin, i cili u arrestua për trafik kokaine në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas prokurorisë, në kontenierët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme.
Dauti ka mohuar akuzat përballë gjykatës, ndërsa sipas avokatit Baftjar Rusi, sasitë e kokainës janë futur në kontenierët e kompanisë nga grupet kriminale për të goditur biznesin e ligjshëm të klientit të tij.