Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se maxhoranca nuk ka ndërmend të votojë për heqjen e Taksës së Qarkullimit për naftën me qëllim uljen e çmimit të karburanteve në treg, ndërkohë që qeveria subvencionon çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla.
Duke iu përgjigjur propozimit të demokratëve përmes Alibeajt, Balla tha se qeveria ka subvencionuar çmimin e biletës për qytetarët që udhëtojnë me autobus, ndërsa ata që lëvizin me makina sipas tij, duhet të paguajnë taksa.
“Ndodh për herë të parë në botë që paketa e propozuar nga opozita është më e vogël se ajo që propozon qeveria. Opozita mund të propozoë ç’të dojë se është me duar në xhepa dhe s’ka përgjegjësi. Paketa jonë është 350 milion dollar. Janë para që shkojnë te njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.
Këtu kishte një propozim që të hiqet taksa e qarkullimit. A. Alibeaj unë dhe ti do ta paguajmë naftën me të njëjtin çmim në treg, kurse të gjithë qytetarët që lëvizin me autobus do ta paguajmë biletën sa e kanë patur para luftës. Nuk jemi këtu që të bëjmë politika për vete, dhe nuk jemi këtu për të ulur çmimin e naftës për mua dhe ty. Jemi këtu që të mos lejohet prekja nga çmimi I atyre që udhëtojnë me autobus”,
tha Balla.