Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka konfirmuar sot se një grup deputetësh kanë propozuar miratimin e një rezolute për dënimin e masakrës së Srebrenicës të vitit 1995.
Ai tha se socialistët ishin të hapur për miratimin e një dokumenti të tillë, pasi Shqipëria e ka dënuar këtë masakër.
Megjithatë, Balla ka kërkuar përfshirjen në rezolutë edhe të shkeljes së embargos nga Shqipëria për karburantet drejt Serbisë në kohën e luftës në Bosnje dhe Kosovë.
Ai akuzoi Berishën se shkelja e embargos është bërë me porosi të tij që në atë kohë ishte President i Shqipërisë.
“Të mos harrojmë që në korrik 1995, presidenti i asaj kohe ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në mbështetjen e makinerisë ushtarake të Sllobodan Millosheviç”, ka thënë Balla.
“Jo vetëm që ka pasur prova, por është dënuar fakti që presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, furnizonte me karburant makinerinë vrasëse të Millosheviç që kaloi nga Bosnja edhe në Kosovë. Nëse e pranojnë edhe propozimin që pjesë e rezolutës të jetë edhe dënimi i shkeljes së embargos nga ana e Shqipërisë, me porosinë e Sali Berishës, atëherë do të kemi një dokument më integral”, shtoi Balla. /abc24.al/