Një 37-vjeçar është proceduar penalisht pasi kontrabandoi përmes pikës kufitare të Kakavijës, bagëti të imta. Ai kaloi bagëtitë pa kryer procedurat doganore, por u kap në flagrancë, në aksin rrugor Memaliaj-Krahës, duke i transportuar me automjet. 37-vjeçari me iniciale A. B., banues në fshatin Velabishtë, u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Gjithashtu nisi procedimi penal edhe për doganierin me iniciale A. Ç., pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar 37-vjeçarin, për të kaluar bagëtitë e imta, pa kryer procedurat doganore.
Njoftimi i policisë:
Goditet 1 rast i kontrabandës, procedohet penalisht 1 shtetas.
Procedohet penalisht dhe një doganier i Pikës Doganore Kakavije, për shpërdorim detyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar në inteligjencën informative, goditën një rast të kontrabandës, për të cilin u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 37 vjeç, banues në fshatin Velabishtë, Berat, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Shtetasi A. B. është kapur në flagrancë, në aksin rrugor Memaliaj-Krahës, duke transportuar me automjet, bagëti të imta, të cilat i kishte kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavije, pa kryer procedurat doganore.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal edhe për shtetasin A. Ç., me detyrë doganier i Pikës Doganore Kakavije, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar shtetasin A. B., për të kaluar bagëtitë e imta, pa kryer procedurat doganore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.