Të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës, policia: Një serb i plagosur

0
Gjigandi

Policia e Kosovës tha se në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll. Ndërkaq, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb.

Sipas një njoftimi për media të Policisë së Kosovës, vetura gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës, duke “rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”.

Autoritetet e rendit thanë se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkaq përveç hetimeve për rastin, PK ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për procedura të mëtejme.

Më herët gjatë 23 janarit, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq deklaroi se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës. Sipas tij, njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar” automjetin “vetëm sepse nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

Sipas Petkoviqit, i plagosuri “është qëlluar në pjesën e majtë të kraharorit dhe ka plagë me armë zjarri”.

RonaTyra

Petkoviq, tha se në veturën, që po qarkullonte në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, përveç M.D, ishte edhe D.S, i komunitetit serb, i cili nuk ka pësuar lëndime.

Petkoviq përsëriti se njësitë speciale të Policisë së Kosovës “nuk kanë çfarë kërkojnë në veri të Kosovës”.

Lista Serbe kërkon largimin e njësive speciale nga veriu
Nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, thanë se “sulmi brutal” ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë te qytetarët, “të cilët gjithnjë e më shumë ndihen se duhet të mbrohen nga veprimet kriminale të forcave speciale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe regjimit të tij diktatorial antiserb”.

Kjo parti kërkoi që nga veri i Kosovës të ketë “tërheqje të menjëhershme të të gjitha forcave speciale të Kurtit” dhe përgjegjësit për ngjarjen e sotme të dalin para drejtësisë.

“Edhe një herë theksojmë se prania e vazhdueshme e këtyre formacioneve mund të na çojë në një spirale ngjarjesh që do të kërcënojnë në mënyrë të pakthyeshme paqen në këto zona”.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka raportuar se ka pasur incidente ku kanë qenë të përfshira automjete që dyshohej se bartnin mallra kontrabandë, por edhe sulme të tjera nga zyrtarëve policorë.

Incidenti i 23 janarit, vjen po ashtu një muaj pasi në veri të Kosovës, për 20 ditë rresht në dhjetorin e kaluar, u ngritën barrikada.

Serbët lokalë kishin ngritur barrikada pasi ishte arrestuar një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Por, pas ndryshimit të masës së sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak për Dejan Pantiqin, grupet e serbëve lokalë hoqën barrikadat në veri të Kosovës./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu